LAJMI I FUNDIT:

FMN mbështet Kosovën me 260 milionë euro për energjinë e ripërtëritshme

FMN mbështet Kosovën me 260 milionë euro për energjinë e ripërtëritshme

Gjatë qëndrimit në takimet pranverore në Washington D.C. të zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministrit të Financave, Punës dhe Trasfereve, Hekuran Murati, është arritur të përmbyllen me sukses diskutimet për një program të ri mbështetës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas komunikatës nga Qeveria e Kosovës, programi i ri përfshin vënien në dispozicion fillimisht të shumës prej 80 milionë euro në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera.


Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në.

Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore.

Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme. /Telegrafi/