Kosova bëhet qendër e financave më 28 prill, Astrit Panxha tregon çfarë pritet nga Kosova Finance Forum 2026

Kosova Finance Forum 2026, që do të mbahet më 28 prill në kryeqytet, pritet të mbledhë përfaqësues të sektorit financiar nga Kosova, rajoni dhe Evropa, duke e kthyer vendin për një ditë në një qendër diskutimi për zhvillimin ekonomik, investimet dhe trendet e tregut financiar.
Edicioni i dytë i këtij forumi vjen me fokus në ndërtimin e besimit në tregjet financiare, një element që konsiderohet kyç për stabilitetin dhe rritjen ekonomike.
Në një intervistë për Telegrafi.com, themeluesi i forumit, Astrit Panxha, theksoi se ky organizim po zgjerohet nga një iniciativë lokale në një platformë me përfshirje më të gjerë ndërkombëtare.
“Edicioni i dytë… kemi shku jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel evropian, sepse kemi ftu akterë të niveleve të larta,” u shpreh ai, duke përmendur pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga vende të ndryshme të Evropës.
Ai shtoi se forumi është krijuar si nevojë për të diskutuar dhe strukturuar zhvillimet në financa dhe ndikimin e tyre në ekonomi. “Financat janë damarët e një ekonomie… pa një sektor financiar të zhvilluar është shumë e vështirë të zhvillohet një vend,” tha Panxha.
Duke folur për temat që do të trajtohen, ai bëri të ditur se diskutimet do të përfshijnë një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe investimet.
“Do të diskutojmë për kapacitetet institucionale për integrim në BE, mobilizimin e kapitalit për zhvillim të qëndrueshëm, trendet demografike në Ballkan, zhvillimet në sektorin bankar, sigurime dhe mikrofinanca, si dhe inovacionin në FinTech dhe partneritetet publiko-private.”
Sipas tij, forumi synon jo vetëm të sjellë diskutim, por edhe mundësi konkrete për bizneset. “Për me i taku drejtorët e bankave dhe institucioneve financiare brenda një dite është një mundësi shumë e mirë… rrjetëzimi është pika më e fortë e këtyre forumeve,” theksoi Panxha.
Intervistën e plotë mund ta ndiqni këtu:




















































