LAJMI I FUNDIT:

Kosova bëhet me ekspertë të licencuar të Forenzikës Financiare

Kosova bëhet me ekspertë të licencuar të Forenzikës Financiare

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë dhe Shoqata e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (SHKÇAK), ndanë sot çertifikata për 43 zyrtarë që kanë përfunduar programin njëvjeçar të trajnimit për forenzikë financiare.

Ky program ka kontribuar në avancimin e aftësive të hetuesve që merren me çështjet e krimit financiar dhe rastet e korrupsionit ku u aftësuan prokurorë, zyrtarë nga Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit, Njësia e Inteligjencës Financiare, Administrata Tatimore dhe Doganat, si dhe gazetarë hulumtues. Programi, i pari i këtij lloji në Kosovë, u zhvillua bashkërisht nga UNDP dhe SHKÇAK duke u përqendruar në zhvillimin e teknikave të forenzikës financiare për të ndihmuar në gjurmimin e parave të paligjshme.


Patrick Etienne, drejtor në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim (SDC), u kërkoi të gjithë krerëve të institucioneve që të përdorin deri në maksimum ekspertizën e shërbyesve të certifikuar për të ngritur numrin e rasteve korruptive që ndiqen penalisht dhe rikuperimin e pasurive të vjedhura.

“Unë sinqerisht besoj se ky program ka qenë një nga ushtrimet më të dobishme të zhvillimit profesional që i janë dhënë hetuesve të krimit financiar dhe korrupsionit. Dëshiroj të përgëzoj me gjithë zemër pjesëmarrësit që kanë përfunduar këtë program të vështirë. Ne do të vazhdojmë të punojmë me këta ekspertë për të avancuar edhe më tutje njohuritë e tyre”, tha Valbona Bogujevci, asistente e përfaqësueses së Përhershme dhe Koordinatore e programit në UNDP.

Lirim Dervisholli, hetues nga Njësia Kundër Korrupsion në Policinë e Kosovës, njëherësh pjesëmarrës në program, për sa i përket përvojës së tij, u shpreh se, “si Ekspertë Ligjor Financiar, ne kemi fituar njohuri dhe aftësi unike përmes këtij programi. Tani jemi në gjendje të zbatojmë metoda dhe teknika të reja në zbulimin, zgjidhjen dhe dokumentimin e krimeve financiare”.

Ky program, që ka zgjatur 11 muaj gjatë të cilëve janë zhvilluar rreth 170 orë mësimi dhe 2 provime, është mundësuar përmes Projektit të UNDP-së për Mbështetje Përpjekjeve Anti-Korrupsion në Kosovë (SAEK II), që financohet nga SDC dhe DANIDA. /Telegrafi/