LAJMI I FUNDIT:

KosLift mbështet 1000 studentë nga UP-ja dhe RIT Kosova, si dhe 60 biznese (Video)

KosLift mbështet 1000 studentë nga UP-ja dhe RIT Kosova, si dhe 60 biznese (Video)

KosLift është një projekt i financuar nga Ambasada Norvegjeze dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe partneri i saj RIT Kosovë (A.U.K).

KosLift ka për qëllim të mbështes deri në 1000 studentë të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovë (A.U.K), si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon.


Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad në një event të përbashkët për projektin KosLift ka thënë se sektori i ICT-së ka një potencial të jashtëzakonshëm për Kosovën.

“Mendoj se të gjithë besojmë që sektori i ICT-së ka një potencial të jashtëzakonshëm për këtë shtet.  Unë besoj se mund të shndërrohet në një prej sektorëve më të rëndësishëm të Kosovës në vitet e ardhshme, por ende ka disa faktorë që duhet të rregullohen për ta arritur këtë. Këta faktorë mund t’i përmbledh shumë lehtë: Edukimi, edukimi dhe edukimi – citon Tony Blair para 20 viteve”, ka thënë ambasadori norvegjez.

Ambasadori i ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, Per Strand Sjaastad

Ndërsa, Ron Cami nga RIT Kosova falënderoi qeverinë si dhe qytetarët e Norvegjisë për zemërgjerësinë e tyre.

“E falënderoj  qeverinë dhe njerëzit e Norvegjisë për zemërgjerësinë e tyre. E di se ne mendojmë se qeveria është duke na jap një donacion këtu, por faktikisht janë njerëzit që punojnë shumë në Norvegji ata që na i japin paratë e tyre neve. Në emër të institucionit tonë, por besoj se flas edhe për tjerët kur them se këtë gjë e marrim me shumë seriozitet dhe mund të mbështeteni në neve se do t’i shfrytëzojmë ato para për përdorim të mirë”, theksoi ai.

Ron Cami nga RIT Kosova

Ndryshe, KosLIFT do të rekrutojë dhe trajnojë studentët në shkathtësi të nevojshme dhe të kërkuara nga tregu i punës sikurse menaxhim, mendim kritik, programim, aftësi të buta dhe të tjera, duke i përgatitur ata për punësim të mundshëm dhe duke krijuar një fuqi punëtorë më të aftë. /Telegrafi/