LAJMI I FUNDIT:

KosICT18 po bashkon entuziastët e teknologjisë me 12 dhe 13 tetor

KosICT18 po bashkon entuziastët e teknologjisë me 12 dhe 13 tetor

Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) për të shtatën herë organizon konferencën ndërkombëtare mbi teknologji, KosICT. Kjo konferencë ka për qëllim të mbuloj tema të trendit global në fushën e TIK-ut. Këto trende i sjellin më së miri ekspertët ndërkombëtarë, rajonal dhe vendor duke i ndarë përvojat e tyre me pjesëmarrësit e KosICT. Gjatë edicioneve të kaluara, konferenca ka mirëpritur rreth 5000 pjesëmarrës të cilët kanë pasur rastin të dëgjojnë dhe mësojnë nga ekspertë të fushave të ndryshme të teknologjisë nga kompani si Google, LinkedIn, Apple, Entrepreneur Magazine, Deutsche Telecom, dhe shumë kompani të tjera me ndikim.

Ky edicion i KosICT do të mbahet me 12 dhe 13 tetor dhe do të sjellë tema te reja dhe shumë interesante nga teknologjia. Interneti i gjërave (IoT), Qytetet e Mençura, Teknologjia Blockchain, Teknologjia ne Sektorin Financiar, janë disa nga temat që do të diskutohen në skenën kryesore të këtij edicioni. Përpos këtyre, në skenën dytësore do të ketë edhe prezantime të shkurtra rreth gjërave praktike si: Shtëpitë e Mençura, Pagesat Mobile, Rrobat, Makinat Autonome e deri te teknologjitë më të avancuara si Bitcoin, Siguria, Privatësia, Inovacioni, Rrjeti 5G dhe shume te tjera.


Duke pasur parasysh që konferenca do të mbahet në dy salla paralele me diskutime të shumta, do të ketë hapësirë për prezantime, punëtori, një panair për kompani eksportuese dhe një panair për kompanitë startup (Innovation Corner). Një ngjarje si kjo ka një ndikim të madh në krijimin e partneriteteve të reja në mes të kompanive vendore, rajonale dhe ndërkombëtare, kjo e fundit e vërtetuar të jetë e suksesshme nga historitë e kompanive pjesëmarrëse të mëhershme.

Konferenca organizohet nga STIKK, në partneritet me Qendrën Inovative të Kosovës (ICK), Kolegjin Universum dhe Connexious. Sponzorët kryesor të kësaj ngjarje janë GIZ, German Cooperation, EBRD, Norwegian Embassy, etj. Konferenca është tërësisht e mbuluar sa i përket mediave nga partnerët tanë, Telegrafi, RTK, Koha dhe Kosovo 2.0.