LAJMI I FUNDIT:

Korrupsioni nuk po luftohet!

Korrupsioni nuk po luftohet!

Ndër institucionet më të korruptuara në vend është Qeveria, Kuvendi, Gjykatat, Prokuroria, Qeveria komunale etj., kurse, niveli më i ulët i korrupsionit mbetet në FSK.

Në vitin 2014 rreth 23 për qind të qytetarëve të Kosovës u është kërkuar korrupsion(ryshfet) për qasje në shërbime publike, ndërsa krahasuar me periudhën e vitit 2016, është rritë kjo dukuri nga 23 në 24 për qind.


Kështu u tha gjatë publikimit të raportit nga RIINVEST për vlerësimin e korrupsionit në Kosovë.

Sipas këtij raporti, rreth 48 për qind e qytetarëve në Kosovë janë të përfshirë në korrupsion për të kryer shërbime në administratë publike. Forma e korrupsionit është njëjtë sikur në rajon. Kosova në rajon prin pas Shqipërisë për korrupsion, kurse vendet tjera të rajonit renditen pas Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Lumir Abdixhiku, tha se vëzhgimi i mjedisit të korrupsionit dhe krijimit të politikave për luftimin e tij mbetet prioritet edhe i shoqërisë.

Sipas tij, perspektiva, ndonëse e largët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian i jep Kosovës një kornizë udhëzuese për rrugëtimin që duhet ndjekur.
“Mungesa e suksesit në çrrënjosjen apo zvogëlimin në masë të dukurisë së korrupsionit do të vazhdon t’i shkakton dëme enorme ekonomike Kosovës. Këto dëme ekonomike që po preken në fondamentin e shoqërisë tonë, kërcënojnë seriozisht nivelin e barazisë në konkurrueshmërinë në treg, një pengesë e vazhdueshme e sektorit privat. Kërcënojnë nivelin e investimeve në vend, kërcënojnë qasjen mbi shërbimet publike dhe sendimentin pozitiv për zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës. Dhe mbi të gjitha me shumë rëndësi sundimin e ligjit dhe dënimit të mos zbatimit të tij”, theksoi Abdixhiku.

Përfaqësuesi special për sundim të ligjit pranë zyrës së BE-së në Kosovë Cezary Michalczuk, tha se korrupsioni është i pranishëm në Kosovë, por ai ka kërkuar ndryshimin e Kodit Penal që fuqizon më shumë luftën ndaj korrupsionit.

“Agjencia nuk është aq e fuqishme sipas mendimit tonë, ne do të insistojmë në përmirësimin e rezultateve dhe numrit të rasteve të ndjekura penalisht… Ne po ashtu do të promovojmë procesin e transparencës sa i përket nominimit ose emërimit të anëtarëve të bordeve nëpër kompani publike dhe nëpër agjenci shtetërore…. Sa i përket çështjes së EULEX-it, iu ka kufizuar mandati i tij deri në vitin 2018, megjithatë EULEX nuk do të ketë mundësi që të hap ndonjë rast të ri, përveç në rrethana të jashtëzakonshme… Pretendimet për korrupsion sa i përket EULEX-it janë të bazuara sipas mediave, mirëpo deri më tani asgjë e dëshmuar”, tha Michalczuk.

Por, në fund ai vlerësoi se korrupsioni duhet vlerësuar në bazë të realitetit e jo sipas perceptimeve.
Kurse, zëvendëskryeprokurorja e Shtetit, Sevdije Morina tha se institucioni i Prokurorit të Shtetit, i ka kushtuar rëndësi të madhe dhe prioritet absolut luftës ndaj korrupsionit.

“Deri tani mund të them se janë shënuar rezultate të dukshme, janë ngritë një varg akuzash dhe mund t’ju përmendi 56 aktakuza në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Pesë të tjera janë aktakuza për hetime dhe 39 aktakuza i kemi nga Prokuroria Speciale, e cila ka kompetencën ligjore për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë… Shtimi i numrit të prokurorëve është nevojë urgjente”, tha Morina.
Në cilësinë e panelistit, i pranishëm ishte edhe Andrew Rusell, koordinator dhe përfaqësues rezident për Kosovë – UNDP.

Sipas tij, korrupsioni është një sistem më shumë se sa një akt që dikush kryen. Prandaj, dështimi për të kuptuar ndërlidhjen mes faktorëve të ndryshëm të sistemit, është dështim për ta adresuar atë.

Në pjesën e fundit të tryezës, pjesëmarrës të shumtë diskutuan rreth shkallës së korrupsionit në Kosovë, dhe mënyrave për ta luftuar atë. /Telegrafi/