LAJMI I FUNDIT:

Kontrolli i cilësisë së naftës do të bëhet nga një laborator i MTI-së (Video)

Kontrolli i cilësisë së naftës do të bëhet nga një laborator i MTI-së (Video)
Foto: Arkiv

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani ka thënë gjatë një interviste për Telegrafin se do të ndryshojë forma e kontrollit të cilësisë së naftës e cila hyn në Kosovë.

Ai ka treguar se janë duke synuar që Trupat Inspektuese të kthehen në kuadër të MTI-së.


“Kontroll i cilësisë së naftës është shqetësim dhe besoj si do t’i marrim të gjitha masat. Një vendim i ish-ministres, ku kontrolli i cilësisë së naftës të bëhet nga Dogana e Kosovës në hyrje, pra bëhet në kufij gjatë importit do të duhej të ndryshohej. Ne si ministri kemi detyrë kontrollin brenda territorit, andaj jemi duke shikuar modalitetin që të kthehen trupat inspektuese në kuadër të MTI-së. Për këtë do të marrim hapa që një laborator të funksionalizohet në kuadër të MTI-së. Aktualisht i kemi dy laboratorë të kontraktuar prej ministrisë të cilët e masin cilësinë e naftës”, tha ai.

Sipas Hasanit, si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë duan që të kenë kontrolle shtesë të naftës e cila shitet në tregun tonë.

“Nëse ne nuk i besojmë këtyre kontrolleve, ne mund t’i bëjmë edhe ekspertiza në vendet tjera. Duhet të veprojmë shpejtë për shkak të natyrës së ndjeshme të kësaj teme”, ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani.

Ndryshe drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, kanë thënë më herët se vetëm 5 për qind e naftës e cila hynë në Kosovë kontrollohet për cilësi. /Telegrafi/