Kontrolli ajror amerikan mbi Krimenë - Aeroplani “Poseidon” nis patrullimin mbi Detin e Zi

Sipas të dhënave nga grupi monitorues “Era e Krimesë” (Crimean Wind), një aaeroplan patrullues i Marinës së Shteteve të Bashkuara, Boeing P-8A Poseidon, është ngritur nga baza ajrore e NATO-s në Sigonella, Siçili, dhe ka ndërmarrë një mision zbulimi mbi rajonin e Detit të Zi, një zonë që mbetet e tensionuar për shkak të konfliktit në vazhdim mes Rusisë dhe Ukrainës.
Aeroplani ka kryer furnizimin me karburant në ajër mbi hapësirën ajrore të Rumanisë, gjë që tregon se misioni është i planifikuar për një qëndrim të zgjatur në zonë dhe me kapacitete të larta operacionale.
P-8A Poseidon është një nga mjetet më të avancuara të SHBA-së për zbulim, mbikëqyrje dhe luftë kundër-nëndetësore, dhe përdoret gjerësisht në operacione detare për të vëzhguar aktivitetin e anijeve dhe nëndetëseve të huaja.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur SHBA dhe NATO po shtojnë ndjeshëm praninë e tyre zbulimore në rajonin e Detit të Zi, me qëllim monitorimin e aktivitetit ushtarak rus, sidomos në lidhje me lëshimin e mundshëm të raketave apo lëvizjet e flotës ruse në zonën përreth Krimesë, e cila ndodhet nën kontrollin e Federatës Ruse që nga viti 2014.
Prania e aeroplanëve si Poseidon është gjithashtu një mesazh i qartë për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s ndaj sigurisë së aleatëve lindorë, përfshirë Rumaninë, Bullgarinë dhe vetë Ukrainën.
Monitorimi i aktiviteteve në Detin e Zi ka fituar rëndësi strategjike të lartë, pasi rajoni është kthyer në një pikë kyçe për transportin detar, operacionet ushtarake dhe konfliktet energjetike mes Lindjes dhe Perëndimit.
Këto misione gjithashtu ndihmojnë në mbledhjen e të dhënave inteligjente që mund të përdoren për të parandaluar kërcënime të mundshme, duke përfshirë edhe lëshime të papritura të raketave nga territorin e Krimesë apo nga anijet luftarake ruse të pozicionuara në Detin e Zi. /Telegrafi/




















































