LAJMI I FUNDIT:

Konjufca: Tryezat e partive s’kanë pse të mbahen, nëse s’flasim për zgjedhje

Konjufca: Tryezat e partive s’kanë pse të mbahen, nëse s’flasim për zgjedhje

Megjithëse, pothuajse të gjitha partitë si PDK, AAK, Nisma dhe PSD, janë shprehur kundër që temë kyçe e tryezës së partive politike të thirrur nga VV-ja, të jetë konsensusi për zgjedhje të parakohshme, kjo e fundit insiston që kjo temë të jetë temë qendrore e tryezës.

Shefi i Grupit parlamentar të VV-së Glauk Konjufca tha për KosovaPress se tryezat kanë filluar me këtë qëllim dhe pastaj kjo ka devijuar në tryezën e PDK-së.

Vetëvendosje, sipas tij, do ta rikthejë këtë temë sërish në tryezë. Në të kundërtën nuk do të marrin fare pjesë në tryezat e tilla.  Ndërsa thotë se duke parë pozicionimin e Qeverisë dhe pushtetit, nuk është shumë optimist,  që do të arrihet pajtueshmëri lidhur me temën në fjalë.

“Tryeza megjithatë duhet ta ketë një epilog dhe nuk mund ta zvarrisim përgjithmonë. Atëherë pas kësaj tryeze të VV-së,  nëse kemi pozicionime të njëjta dhe nëse tryezat janë jo produktive, unë konsideroj që nuk ka më arsye që të mbahen. Humb kuptimi i tyre. Nëse ata nuk dëshirojnë të flasin për zgjedhje, atëherë beteja për zgjedhje do të bartet në Parlament të Kosovës, aty ku e ka vendin. Kështu që natyrisht beteja e vërtetë për ta çuar vendin në zgjedhje, është në Parlament të Kosovës. Mirëpo, ne nëse veç e vërtetojmë që këto tryeza nuk janë më produktive. Atëherë nuk do të marrim pjesë as vet në të ardhmen. Me këtë ide ia kanë nis tryezat. Ideja kanë qenë zgjedhjet. Mos të kishte qenë zgjedhjet ideja, e thirrur nga tryeza e LDK-së, VV nuk do të kishte marrë pjesë fare. Por, ne pikërisht pse kanë qenë zgjedhjet kemi marrë pjesë. Në tryezën e dytë u devijua tema nga PDK-ja. VV po organizon e treta dhe dëshiron të ia rikthejë temën kryesore tryezës që janë zgjedhjet. Kush nuk do me marrë pjesë, mos le të merr pjesë, është puna e tyre”, tha Konjufca.

Por, ish kolegu i Konjufcës, Dardan Sejdiu të hënën ka thënë se tash nuk është koha për të diskutuar për zgjedhje të parakohshme.

Kjo sipas Sejdiut, Kosova ka shumë tema tjera me rëndësi. Ndërsa insistimi i VV- së që të diskutohet për zgjedhje të reja  pa i pasur numrat,  sipas Sejdiut , është oportunizëm dhe popullizëm.

“Ne si Parti Socialdemokrate e kemi shprehur qëndrimin tonë, që do të jemi në secilën tryezë ku ftohemi… Konsensus sa i përket zgjedhjeve me një Qeveri, e cila nuk do zgjedhje, nuk mund të ketë. Dhe thjesht duhet të ikim prej këtyre temave populliste, të trajtimit të opsionit të zgjedhjeve. Në momentin që janë numrat, atëherë dhe niset mocioni dhe përfundojmë me rrëzim të qeverisë. Përderisa nuk ka numra, çdo trajtim i kësaj teme është veçse mundësi dhe potencial për të ikur prej temave si p.sh, temat që mund t’i rregullojmë me Kuvend… Jemi për. Kjo qeveri çdo ditë tregon se nuk është duke e bërë punën që duhet bërë. Por, a jemi për të qëndruar në këtë diskutim pa i pasur numrat, mendoj që kjo është dhe oportunizëm dhe popullizëm”,  ka deklaruar Sejdiu.

Por, për Konjufcën deklaratat e ish-kolegut të tij nga Vetëvendosje janë të kuptueshme, pasi që, siç thotë ai, partia pjesë e së cilës tash është Sejdiu, PSD, nuk është e gatshme dhe e përgatitur  për zgjedhje.

Konjufca thotë se VV është plotësisht e përgatitur për zgjedhje edhe pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur,  ku  një pjesë e deputetëve të kësaj partie u larguan.

Madje thotë se zgjedhjet do të jenë ato, ku vota e popullit, do t’ua tregojë vendin të gjithë atyre,  që u munduan ta dëmtojnë VV-në.

“Po është e kuptueshme për PSD-në. Për secilën është e kuptueshme. Për PDK është e kuptueshme sepse pushtetin e ka interes. Për PSD është e kuptueshme, sepse nuk është e përgatitur për zgjedhje. Secili i ka ato. Mirëpo, për Vetëvendosjen, e cila është e përgatitur për zgjedhje, është më mirë që të shkohet në zgjedhje. Po mendoj se është e përgatitur. Sepse në fund të fundit populli u jep kuptim dhe atyre. Vota e popullit. Se kush e ka pas mirë. A Lëvizja që ka vazhduar, apo të tjerët që kanë dal prej saj?… Mendoj që goditjet që kemi pësuar janë të rikuperueshme. Nuk është pronar askush i Vetëvendosjes që të thotë se unë do të dal dhe tash VV nuk do të ekzistojë, apo do të dëmtohet. Vetëvendosje është e bazuar në programin e saj, në idetë e saj, në vlerat e saj dhe është grup i njerëzve që janë të gatshëm ty shtyjnë përpara ato ide. Kush nuk mund me i shty përpara, del dorëzohet apo e ndjek rrugën e vet. Ma merr mendja që populli me votën e vet, do t‘ia tregojë vendin edhe atyre që janë munduar ta dëmtojnë Vetëvendosjen”, tha Konjufca.

Në tryezën që VV e ka ftuar për të premten nuk dihet nëse do të marrin pjesë partitë në pozitë. PDK as të mërkurën nuk ka dhënë ndonjë përgjigje  për KosovaPress.

Ndryshe,  të hënën shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Memli Krasniqi, ka thënë  se ata ende nuk kanë marrë ftesë  zyrtare, për tryezën në fjalë dhe se nuk mund të përgjigjet saktë se si do të veprojnë, do të jenë pjesë e kësaj tryeze apo jo.  Megjithatë thekson se qëllimi i tryezave të tilla, ka qenë arritja e një konsensusi të gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo të diskutohet për zgjedhje, për të cilat mendon që duhet të mbahen në afatin ligjor.

“Ne ende s’kemi pranuar ftesën zyrtare. Andaj s’mund te përgjigjem me saktësi, se si do te veprojmë. Ajo që mund të them tash është se qëllimi i tryezave, ka qenë që të arrihet konsensus i gjerë për temat e rëndësisë nacionale dhe jo ë  diskutohet për zgjedhje, te cilat ne mendojmë se duhet të mbahen në afatin e rregullt ligjor”, kishte thënë Krasniqi. /kp/Telegrafi/