eksperti-banner

Nuk ka shoqëri të shëndoshë nëse ajo nuk udhëhiqet në mënyrë demokratike, në këtë aspekt të ofrosh vlerat demokratike do të thotë të garantosh një të ardhme të sigurt dhe një barazi për qytetarët pa dallime. Koncepti demokratik i një partie konsiderohet i tillë kur paraqet bazamentin e trajtuar deri në detaje dhe përshtatjen e vlerave të mirëfillta duke u kujdesur për nevojat e qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimin e vetë shtetit.

Dëshira për demokraci dhe angazhimi në këtë drejtim, që nga vet fillimi i jetës pluraliste në Kosovën e viteve të 80-ta dhe 90-ta ka nxjerr në pah betejën e pa kompromis dhe të vështirë për një demokratizim të përgjithshëm të shoqërisë si një parakusht në ecjen përpara dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies së përgjithshme. Tani kur Republika e Kosovës është edhe de jure sovrane dhe e njohur nga shtetet më të fuqishme të botës dhe aleatët tanë perëndimorë, demokracia mbetet prioriteti i angazhimeve. Ajo paraqet një nga shtyllat konceptuale dhe më të rëndësishmet që i dhanë formën përpjekjeve politike duke motivuar dhe më shumë në synimin drejt arritjes së saj dhe në vendosmërinë për të kërkuar me ngulmë që vetë ekzistimi i demokracisë të shërbejë si parakusht për përparim në të gjitha fushat e jetës.

Koncepti demokratik duhet të synojë që ta bëj Kosovën një vend të mundësive të barabartë për qytetarin pa bërë asnjë dallim etnik, fetar apo gjinor. Me barazinë si një element kyç të vetë kuptimit të demokracisë, lypset angazhim maksimal që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi të barabarta për tu shkolluar, mundësi të barabarta që atyre tu ofrohen shërbime shëndetësore apo mundësi të barabarta për tu punësuar. Demokraci do të thotë edhe mundësia që të gjesh një vend pune pavarësisht bindjeve dhe qëndrimeve. Demokraci është edhe sundimi i ligjit ku ai jo vetëm do të jetë obligim për të gjithë, por edhe e drejtë e çdo qytetari të Kosovës, sikur që e drejtë e çdo qytetari do të jenë edhe lira e fjalës dhe mundësia e pacenuar për të shprehur bindjet dhe mendimet.

Lidhja Demokratike e Kosovës ashtu siç edhe e ka dëshmuar gjatë jetës së saj të gjatë politike do të vazhdon të shërbejë si një luftëtar i paepur i demokratizimit me vetëdije të plotë që prapa saj ka dëshirën qytetarëve të Kosovës dhe vullnetin e tyre. Thellësisht të bindur në demokracinë dhe duke i besuar vlerave të saj do të punohet edhe më tej që ajo të merr formën reale. Në Kosovën e rreshtuar përballë miqve tanë do të punohet për një Kosovë e cila në asnjë aspekt nuk do të dalloj apo ngec nga vendet që sot janë sinonim i demokracisë dhe mundësive të barabarta për të gjithë.

Koncepti demokratik tani më është i njohur dhe i shpalosur, ai është i dëshmuar dhe i afirmuar, por në rrethana dinamike shpesh të imponuara nga zhvillime qoftë politiko-ekonomike apo shkencore-teknologjike nuk ka program që mund të qëndroj pa u rishikuar dhe përshtatur ndryshimeve dhe nevojave, sfidave të jetës dhe realiteteve të reja. Në vazhdën e përpjekjeve të sinqerta që koncepti demokratik të zhvillohet dhe kultivohet më tej, të rinjtë duhet të jenë pjesë e proceseve ku edhe e kanë vendin. Procesi i reformimit është i hapur për të gjithë. Të rinjtë janë ata që duhet të japin inputet dhe idetë më të dobishme dhe në këtë mënyrë do të drejtojnë vetë të ardhmen e tyre, ata do të mbajnë të gjallë konceptin demokratik dhe shpresën për një Kosovë demokratike.