Komuna e Prizrenit lansoi platformën “LMS Flutura” për menaxhimin dhe monitorimin e arsimit

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se është lansuar platforma “LMS Flutura”, e angazhuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, e cila synon të sjellë një sistem të integruar për menaxhim, monitorim dhe zhvillim të arsimit në të gjitha nivelet.
Sipas njoftimit të komunës, platforma mundëson qasje në statistika dhe raporte në kohë reale, me qëllim rritjen e transparencës dhe efikasitetit në vendimmarrje.
“U lansua platforma LMS FLUTURA, e angazhuar nga Drejtoria Komunale e Arsimit, që sjell sistem të integruar për menaxhim, monitorim dhe zhvillim të arsimit në të gjitha nivelet”, thuhet në njoftim.
Komuna bën të ditur se përmes kësaj platforme shkollat do të mund të menaxhojnë në mënyrë të strukturuar klasat, oraret dhe dokumentacionin, ndërsa mësimdhënësit do ta lehtësojnë punën përmes ditarit elektronik, testeve online dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me prindërit.
Sipas njoftimit, nxënësit do të kenë qasje në materiale, detyra dhe rezultate “në çdo kohë”, ndërsa prindërit do të informohen vazhdimisht për përparimin dhe vijueshmërinë e fëmijëve të tyre.
“Një platformë. Një sistem. Një vizion për arsimin digjital në Komunën e Prizrenit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/




















































