LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës shpenzoi afër 250,000 euro për 18,000 teste antigjen – tenderi u dha me procedurë të negocimit

Komuna e Prishtinës shpenzoi afër 250,000 euro për 18,000 teste antigjen – tenderi u dha me procedurë të negocimit

Rastet e para me COVID-19 në Kosovë janë paraqitur më 13 mars 2020, ndërsa afro nëntë muaj pas shfaqjes së pandemisë, Komuna e Prishtinës ka filluar me testimin rapid për COVID-19. Konkretisht, më 22 dhjetor, ishte bërë e ditur se kryeqyteti po nisë me teste antigjene, të cilat do të bëheshin në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në Emshir.

Këto teste kanë filluar të përdoreshin për testimin e qytetarëve të Prishtinës afro një muaj pasi ishte nënshkruar kontrata për sigurimin e tyre. Komuna e Prishtinës në nëntor 2020 kishte shpallur tenderin me numër të prokurimit 616-20-7749-1-1-5 për furnizim me teste antigjen, konkretisht për 18,000 sosh. Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 250,000 euro, e lloji i kontratës “e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”.


Ajo çfarë është e dyshimtë është fakti se si mund të jepet një tender me vlerë 250,000 euro me procedurë të negocimit nëntë muaj pas fillimit të pandemisë dhe si mund të konsiderohet emergjencë ekstreme fillimi i këtij testimi rapid nëntë muaj pas pandemisë, kur në përdorim kanë qenë edhe testet PCR. Si për testet PCR, edhe për testet rapide, analiza bëhet njëjtë, vetëm se dallimi është në shpejtësinë e marrjes së rezultateve, ku për testet rapide (antigjen) rezultatet merren maksimumi pas 20 minutave.

Në këtë proces tenderues, me procedurë të negocimit, Komuna e Prishtinës kishte pranuar tri oferta me këto çmime:


Ftesat për negocim pa publikim të njoftimit për kontratë i është dërguar katër kompanive, duke përfshirë edhe MadeKos, mirëpo kjo e fundit nuk figuron në listën e ofertimit.

Nga këto tri kompani tenderi për furnizimin me 18 mijë teste antigjen i është dhënë kompanisë “I.EC –BIO L.C.C., ku siç thuhet në kontratë kriteri i dhënies së kontratës ka qenë çmimi më i ultë. Në raport bëhet e ditur se Komisioni i vlerësimit gjatë negociatave me operatorin ekonomik “I.E.C – BIO” L.C.C, ka arritur të negociojnë çmimin, duke e zbritur nga çmimi i ofruar prej 260,100.00 euro në çmimin 249,900.00 euro meqenëse edhe vlera e parashikuar e kontratës ishte 250,000 euro.

Nënshkrimi i kësaj kontrate për sigurimin e 18 mijë testeve antigjen është bërë më 26 nëntor 2020 nga Komuna e Prishtinës dhe më 27 nëntor nga kontraktuesi.

Duke i llogaritur çmimet e 18 mijë testeve antigjen, del se një test me çmimin e ofruar nga kompania  AR-TECH kushtonte 16.12 euro, ndërsa me “BIOTEK KOSOVO” kushtonte 15.89 euro.

Ndërsa, një test nga kompania që kishte ofruar çmimin më të lirë e që ishte edhe fituese e tenderit, “I.E.C-BIO” L.L.C, fillimisht kushtonte 14.45 euro, por pas zbritjes së çmimit së kontratës nga 260,100.00 euro në 249,900.00 euro, çmimi i një testi antigjen del të jetë paguar 13.88 euro.

Por, edhe çmimi prej 13.88 euro që kishte paguar Komuna e Prishtinës për një test antigjen është i lartë krahasuar me çmimin në treg që ishte për një test antigjen në atë kohë.

Pas hulumtimit të çmimeve në laboratorët privat, del se në kohën kur kanë nisur të përdoreshin këto teste çmimi i blerjes së një testi rapid ishte 10 euro, ndërsa bërja e një analize të tillë ka kushtuar 20 ose 25 euro, varësisht prej laboratorëve.

Nga kjo i bie se Komuna e Prishtinës, për blerjen e një testi rapid ka paguar afro 3,88 euro më shumë. Nëse e llogarisim për 18 mijë teste, atëherë del që Komuna e Prishtinës ka paguar rreth 69,840 euro më shumë krahasuar me çmimin sa do të kushtonin 18 mijë teste sikur të bliheshin me çmimin e tregut.

Çmimi i blerjes së një testi të tillë muaj më vonë ka rënë akoma. Një test rapid mund të blihet me 7.5 euro, pesë apo katër euro dhe një bërja e një analize të tillë aktualisht është 10 ose 15 euro, varësisht prej  laboratorëve.

Por, le t’i kthehemi edhe njëherë llojit të kontratës. Për shkak se një kontratë e tillë me vlerë 250,000 euro është dhënë me procedurë të negocimit, Komuna e Prishtinës ishte e detyruar t’i drejtohet edhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP). Në një përgjigje me shkrim [1], Komuna e Prishtinës pohon se është përdorur “Procedura e Negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë” për arsyen si në vijim:.

“Ky tender është shpallur si emergjent dhe me përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës sipas kërkesës të Drejtorisë për Shëndetësi, duke u bazuar në situatën me pandeminë dhe është zhvilluar në harmoni me dispozitat ligjore. Pastaj, për të siguruar se Autoriteti Kontraktues do të pranojë çmime reale kemi ftuar më shumë operatorë ekonomikë që merren me këto furnizime, dhe pos kësaj në fazën e negocimit me tenderuesin me çmimin më të ulët 260,100.00 kemi arritur në negocim të marrim çmimin përfundimtar prej 249,000.00 euro, respektivisht nga çmimi prej 14.45 euro për test në çmimin prej 13.83 euro. Kjo ka qenë mundësia e vetme që të kujdesemi për çmimin e tregut, pasi që për artikullin e proceduar nuk ka pas asnjë procedurë paraprake që të na jepte informata për çmime e siç dihet te ne nuk ka asnjë institucion kompetent lidhur me çmimet e produkteve të tilla”, thuhet më tej në përgjigje [2].

Sipas dispozitave ligjore, gjegjësisht duke u bazuar në nenin 35.2 të Ligjit për Prokurim Publik, autoriteti kontraktues sa herë që përdor procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, e ka obligim ta njoftoj KRPP-në për vendimin dhe arsyet. E për Komunën e Prishtinës, arsye ishte emergjenca shëndetësore dhe numri i madh i rasteve aktive në Prishtinë, ndonëse kur ishte nënshkruar kontrata në vlerë 250,000 euro kishin kaluar nëntë muaj nga fillimi i pandemisë dhe emergjenca nuk mund të arsyetohet në këtë kohë.

Si përfundim, lidhja e kontratave me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë nuk është praktikë e preferuar, pasi mund të kufizojë konkurrencën dhe janë më të lehta për afera korruptive dhe favorizim të një operatori ekonomik të caktuar. /Telegrafi/

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Kontribut në gjetjen e shkeljeve në prokurim publik të institucioneve në luftën kundër pandemisë COVID-19” i financuar nga BE, implementuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

[1] Pyetjet dërguar Komunës së Prishtinës më 26 tetor 2021. Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës është përgjigjur më 1 nëntor 2021.
[2] Pyetjet dërguar Komunës së Prishtinës më 26 tetor 2021. Zyra e Prokurimit e Komunës së Prishtinës është përgjigjur më 1 nëntor 2021.

Në trend Ekonomi

Më shumë
Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Shije italiane në zemër të Prishtinës - Vapiano hapet së shpejti

Foleja
Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Nxitoni, vetëm edhe 4 vende të lira në kursin intensiv për kamerë “From Zero to Hero”

Pixels
50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

50 brende botërore dhe 60 kuzhinierë pjesë e panairit Horeca - Frigo Deluxe

Frigo Deluxe
Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

Produkte natyrale, vegane dhe organike për kujdesin e lëkurës - My Skin Project

My Skin Project
Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Kush përfiton nga ulja e çmimit të energjisë elektrike?

Ekonomi
Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti?

Gjithë ke lakmu me pas banesë n'deti? "Holiday In 2" është vendi ideal

Edil Project
Kalo në kategori