LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Mitrovicës tregon si duhet të aplikoni dhe kush janë përfitues të pikës 15 të Pakos Emergjente Fiskale

Komuna e Mitrovicës tregon si duhet të aplikoni dhe kush janë përfitues të pikës 15 të Pakos Emergjente Fiskale

Komuna e Mitrovicës, ka dhënë detaje në lidhje me procedurat e zbatimit të pikës numër 15 të Pakos Emergjente Fiskale të miratuar nga Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës.

Përmes kësaj mase do të ofrohet pagesë në vlerë prej 130.00 euro në muaj, për familjet të cilat të gjithë anëtarët e familjes i kanë të papunësuar dhe që nuk realizojnë ndonjë të hyrë mujore nga ndonjë skeme sociale dhe pensionale të financuara nga Buxheti i Shtetit.


Ndërsa, janë edhe disa kushte që duhet të plotësohen për të qenë përfitues i këtyre mjeteve financiare që ndanë shteti në kohën e pandemisë.

“Sipas Masës nr.15 të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130) euro për periudhën Prill-Qershor 2020, e kanë: Vetëm familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), aplikanti është i lajmëruar si i papunë në institucionin kompetent (zyrën për punësim – Mitrovicë) dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Tutje në këtë njoftim janë sqaruar edhe të gjitha parakushtet për aplikim dhe mënyrën se si duhet të aplikojnë qytetaët për të përfituar këto mjete.

Njoftimi i plotë:

Njoftim nga DIEMS dhe Qendra për Punë Sociale në Mitrovicë 

Të nderuar qytetarë të Komunës së Mitrovicës,

Një ndër masat e parapara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila do të ofrojë mbështetje financiare të qytetarëve në gjendje të rëndë sociale, është edhe Masa Nr. 15 në kuadër të Planit Operacional për Pakon Fiskale Emergjente, përmes së cilës do të ofrohet pagesë në vlerë prej 130.00 euro në muaj, për familjet të cilat të gjithë anëtarët e familjes i kanë të papunësuar dhe që nuk realizojnë ndonjë të hyrë mujore nga ndonjë skeme sociale dhe pensionale të financuara nga Buxheti i Shtetit.

FAMILJET QË PËRFITOJNË

Sipas Masës nr.15 të drejtën e përfitimit në pagesë të asistencës mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë (130) euro për periudhën Prill-Qershor 2020, e kanë:

Vetëm familjet të cilat nuk e kanë asnjë të punësuar (sektorin publik dhe privat), nuk pranojnë asnjë pagesë mujore nga Buxheti i Republikës së Kosovës (pension apo asistencë tjetër sociale), aplikanti është i lajmëruar si i papunë në institucionin kompetent (zyrën për punësim – Mitrovicë) dhe është banor rezident në Republikën e Kosovës.

PARAKUSHTET PËR APLIKIM

– Parakusht i parë për të përfituar familja asistencën mujore në vlerë prej njëqind e tridhjetë euro (130), është që aplikuesi dhe të gjithë anëtarët me të cilët jeton në bashkësi familjare duhet të jenë të papunësuar, përndryshe edhe nëse aplikoni, nuk mund të përfitoni.

– Parakusht i dytë është që asnjëri nga anëtarët e familjes nuk duhet të jetë pjesë e përfitimit nga cilado prej skemave sociale dhe pensionale të financuara nga Buxheti i Shtetit, përndryshe edhe nëse aplikoni, nuk mund të përfitoni.

– Parakushti i tretë është që parashtruesi i kërkesës (aplikanti) duhet të jetë i regjistruar në Zyrën e Punësimit dhe të ketë statusin e të papunësuarit. Për qytetarët të cilët kanë qenë të regjistruar të papunë dhe kanë deklaratë të papunësisë një gjë e tillë nuk ka nevojë të përsëritet, ndërsa ata të cilët nuk janë të regjistruar duhet të regjistrohen dhe këtë mund ta bëjnë duke u regjistruar në platformën online të Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës apo duke aplikuar drejtpërdrejt në Zyrën e Punësimit, përndryshe aplikacioni juaj nuk do të shqyrtohet dhe aprovohet pa u plotësuar edhe ky parakusht.

METODA DHE AFATET E APLIKIMIT

Nëse keni plotësuar tre (3) parakushtet për aplikim të përshkruara më lartë, mund të aplikoni për të përfituar nga Masa nr.15 duke përzgjedhur njërën prej metodës dhe mënyrës së aplikimit si në vijim;

1. a) Aplikimi Online – duke përdorur formularin elektronik. Ju mund të shkarkoni formularin e

duhur nga faqja zyrtare e internetit të Ministrisë së Financave dhe Transfereve. Formulari duhet të plotësohet dhe dërgohet në e-mail adresën zyrtare: pako15@rks-gov.net, duke

bashkangjitur ne e-mail të skanuar (apo fotografuar) kopjen e letërnjoftimit.

Kjo, (aplikimi online) është mënyra e rekomanduar për aplikim duke pasur parasysh situatën e pandemisë dhe emergjencës shëndetësore.

1.b) Aplikimi Fizik – aplikimi mund të bëhet edhe përmes Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, duke marrë formën e aplikacionit tek Zyrtari i Ndihmës Sociale dhe pasi që të keni plotësuar dhe nënshkruar formën e aplikacionit së bashku me kopjen e letërnjoftimit të parashtruesit të kërkesës duhet të dorëzoni në Qendrën për Punë Sociale tek Zyrtari i Ndihmës Sociale.

Aplikimi në njërën prej metodave të lartshënuara mund ta bëni më së largu deri me 15 Maj 2020, apo çfarëdo afati të mëvonshëm që mund të përcaktohet me vendim nga Ministria e Financave dhe Transfereve.

Për çdo paqartësi mund të kontaktoni zyrtarët e QPS-së në Mitrovicë përmes numrit të telefonit; 028535440