Komuna e Ferizajt ka njoftuar se gjatë një periudhe katërmujore ka përfunduar gjithsej 10,865 kërkesa të qytetarëve në kuadër të Drejtorisë së Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit.

Sipas njoftimit, pjesa më e madhe e kërkesave i përkasin sektorit të Kadastrit, me 9,010 raste të trajtuara, ndërsa në sektorin e Gjeodezisë janë përfunduar 1,750 kërkesa dhe në sektorin e Pronës 105 të tjera.


Komuna ka theksuar se një ndër prioritetet kryesore gjatë kësaj periudhe ka qenë trajtimi i lëndëve të mbetura, të cilat, sipas saj, janë eliminuar pothuajse tërësisht, duke reduktuar pritjet e gjata për qytetarët.

Po ashtu, bëhet e ditur se nga tani e tutje kërkesat do të trajtohen brenda afateve ligjore, si rezultat i rritjes së kapaciteteve njerëzore, përmirësimit të organizimit dhe angazhimit të stafit profesional.

“Një ndër prioritetet kryesore ka qenë trajtimi i lëndëve të mbetura, të cilat tashmë janë eliminuar pothuajse tërësisht”, thuhet në njoftim.

Komuna e Ferizajt ka vlerësuar se ky rezultat e rendit atë ndër komunat me performancën më të lartë në vend për trajtimin e lëndëve, ndërsa ka theksuar përkushtimin për të vazhduar ofrimin e shërbimeve cilësore, transparente dhe në kohë për qytetarët. /Telegrafi/