LAJMI I FUNDIT:

Kompania InstaBuilt prezanton “Shtëpinë fluturuese” në Kosova Business Forum

Temë qëndrore e edicionit të sivjetmë të “Kosova Business Forum” ishte inovacioni dhe zhvillimi i ideve të reja në tregun e Kosovës.

Në këtë ngjarje kombëtare për biznesin u bë prezantimi i shtëpive “Eco-Bio-Green” nga kompania InstaBuilt, e cila është njohur për ndikimin e saj revolucionar në industrinë e ndërtimit.


Themeluesi dhe CEO i InstaBuilt, Mentor Pllana, në një intervistë për Telegrafin, tregoi për avantazhet dhe lehtësimet që sjell ky model i ri i shtëpive.

Pllana i referohet këtyre shtëpive si “Shtëpia Fluturuese”, një projekt që ka depërtuar tashmë në tregjet e mëdha të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mentor Pllana, themelues dhe CEO i InstaBuilt /Foto: Ridvan Slivova/

“Shtëpia Fluturuese” ka krijuar një histori suksesi 25-vjeçare duke u ndërtuar në vende të ndryshme të botës, përfshirë Teksasin dhe së shpejti Kaliforninë e SHBA-së.

Pllana thekson kalimin nga një kompani lokale në atë globale, me operacione që shtrihen përtej kufijve të Kosovës.

Ai u shpreh se trendet aktuale të luftës kundër ndryshimeve klimatike dhe karbonit kanë bërë që shtëpia “Eco-Bio-Green” të jetë një zgjedhje e qëndrueshme dhe tërheqëse, sidomos me subvencione të favorshme, si në Gjermani, ku norma e interesit për këto ndërtime është vetëm 1 për qind.

“Tash tu i pa trendet si me klimën dhe ndryshimet klimatike që po ndodhin dhe luftën kundër karbonit kjo shtëpi tash është ‘Eko-Bio-Green’. Çka nënkupton kjo? Tash ka edhe subvencione. Në Gjermani normat e interesit për ndërtime tradicionale janë 4 për qind, ndërsa për këtë shtëpi është 1 për qind. Kjo pasi i plotëson të gjitha standardet. Na nuk e kemi shitur asnjëherë produktin tonë në Kosovë. Po e them që tash jemi në Kosovë me një stabilitet më shumë se pesë vite, derisa i kemi mbërri krejt certifikatat. Kemi shitur nëpër Evropë, Zvicër, Gjermani, Francë, Belgjikë…, Kemi shitur në një rast tash në ShBA”, tha Pllana duke shtuar se i kanë mbërri krejt certifikatat.

“Tash kemi ardhë në Kosovë dhe kemi thënë ‘kemi një produkt të validum, i cili po na mundëson në rritje globale’. Kështu që ky produkt tash nuk është në këtë rast vetëm një shtëpi me një dhomë gjumi, por është një sistem konstruktiv, i cili përmes qendrës sonë të inovacionit po ndërtojmë edhe kemi mundësi deri në 25 kate”, tha Pllana.

Pllana thekson se pas arritjes së të gjitha certifikatave të nevojshme, tani është koha që produkti i tyre të lajmërohet edhe në tregun e Kosovës. Shtëpia “Eco-Bio-Green” nuk është vetëm një hapësirë jetese, por një sistem konstruktiv që mundëson ndërtimin e strukturave deri në 25 kate.

Ndërtimi i shpejtë i këtyre shtëpive po ashtu u theksua si një avantazh kyç, me mundësi për të ndërtuar një njësi në vetëm dy orë ose një shtëpi me dy pjesë për tre orë, duke garantuar një standard të lartë të efiçiencës në energji. /Telegrafi/