LAJMI I FUNDIT:

Komisioni i Pavarur për Media kritikohet për mos inkasim të borxheve

Komisioni i Pavarur për Media kritikohet për mos inkasim të borxheve

Anëtarët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere kanë shqyrtuar raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Media, ku mori kritika nga deputetët e pozitës për mos inkasimin e borxheve nga mediet televizive, dhe kështu ky raport nuk mori mbështetjen e Komisionit për votim.

Deputeti nga VV-ja, Visar Korenica ngriti çështjen e borxheve të mëdha nga mediet televizive ndaj KPM-së, mbi 700 mijë euro.

Madje, duke i kritikuar drejtuesit e KPM-së, Korenica tha se është pa përgjegjësi mos inkasimi i këtyre borxheve.

“Nëse marrim shembull këto televizione që kanë përfitime marramendëse. Atyre iu vazhdohen licencat dhe nuk i kryejnë obligimet. Jo vetëm ju, por edhe ne si Komision këtu, do të ishte e pa drejtë ndaj qytetarëve të lejohet që kjo gjendje të vazhdojë. Për mua kjo gjendje është katastrofale. Dhe më tepër ju nuk po tregoni as edhe shifrat minimale se çka keni arritur si rezultat, përveç inicimeve të rasteve në përmbarim për inkasimin e këtyre borxheve”, theksoi Korenica.

Zëvendëskryeshefi KPM-së, Faruk Rexhaj gjatë raportimit tha se duke marrë parasysh gjendjen e rëndë financiare të medieve dhe pandeminë COVID-19 që ka ndikuar në të ardhurat e tyre, çdo veprim i KPM-së do të rezultonte dëmshëm në stabilitetin financiar të medieve në Kosovë.

Ai po ashtu tha se ndërprerja e licencave të gjitha këtyre mediave do të rrezikonte në të drejtën e informimit të qytetarëve në Kosovë.

“Duke pasur parasysh gjendjen pandemike, gjendjen e vështirë financiare të medieve, ka qenë sfidë edhe për KPM-në si rregullator, për faktin se çdo veprim eventual i KPM-së, potencialisht ka mundur të rezultojë dëmshëm në kuptimin e stabilitetit financiar të medieve në Kosovë. Prandaj, KPM ka vlerësuar se duhet gjetur një zgjidhje në mes të inkasimit të borxheve nga mediet, ruajtjes së tregut medial në Kosovë. Qysh e dimë, ekziston një numër i medieve që nuk arrijnë t’i kryejnë obligimet tyre financiar ndaj KPM-së dhe se ndërprerja e licenca të gjitha këtyre medieve do të rrezikonte të drejtën e informimit të qytetarëve në Kosovë. Si institucion kemi ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme për inkasimin e këtyre mjeteve, duke i dërguar të gjitha lëndët te përmbaruesi privat”, theksoi ai. /KP/