LAJMI I FUNDIT:

Klubi i Prodhuesve takohet me kryetaren Osmani, flasin për gjendjen e ekonomisë në vend

Klubi i Prodhuesve takohet me kryetaren Osmani, flasin për gjendjen e ekonomisë në vend

Sot kryetar i Bordit të Klubit të Prodhuesve, Bashkim Osmani është takuar me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Arsyeja e takimit ishte diskutimi mbi gjendjen e tanishme të sektorit të prodhimit dhe avokimi për ndërmarrjen e disa masave të cilat do të ndikonin drejtpërdrejtë në përmirësimin e kësaj gjendje.


Kryetari Osmani thotë se është i domosdoshëm miratimi i menjëhershëm i Pakos Emergjente të Rimëkëmbjes, e cila sipas tij do të ndihmonte shumë prodhuesit vendorë që janë në prag të mbylljes së veprimtarisë.

“Është koha e fundit që kjo pako të miratohet dhe të filloi implementimi i saj, duke krijuar lehtësirat e parapara për ekonominë”, tha Osmani.

Gjatë takimit u përmend edhe iniciativa për prokurim publik, ku Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon nga institucionet shtetërore dhe ato publike që në procedurat e tenderimit këto institucione të fusin si kriter edhe prodhimin vendor, gjë që do të mbështeste prodhuesit gjatë kësaj krize dhe do të ndihmonte në rimëkëmbjen e tyre.

Kryetarja Osmani shprehu gatishmërinë që të përkrahë këtë rezolutë por edhe iniciativat tjera kështu duke ju qëndruar prodhuesve gjithnjë pranë. /Telegrafi/