David Adler, një nga aktivistët në flotën dhe bashkë-koordinatori i përgjithshëm i organizatës ndërkombëtare "Progressive International", publikoi në X (ish-Twitter) një mesazh që e përshkruan si të mundshëm “letrën e tij të fundit”, ndërsa flota e anijeve humanitare — e njohur si Flota Globale Sumud — po i afrohet brigjeve të Gazës.

“Frikësohem se kjo mund të jetë letra ime e fundit që ju shkruaj nga Flota Globale Sumud — tani vetëm 120 milje detare larg brigjeve të Gazës,” shkruan Adler. Ai raporton se mbrëmë disa anije luftarake izraelite “frikësuan flotën tonë, sulmuan anijet tona, frikësuan ekuipazhin dhe çaktivizuan komunikimet tona”.


Ai thotë se ekuipazhi i flotës po përgatitet për një sulm të mundshëm, duke ndjekur procedurat dhe protokollet e tyre ndërsa shpjegon se aktivistët nuk do të rezistojnë në rast të një sulmi.

Ai thekson se pjesëtarët e flotës po përpiqen të dokumentojnë çdo veprim me telefonat dhe kamerat e sigurisë “do ta transmetojmë për botën. Dhe do të mbështetemi te ju për ta përhapur fjalën për këtë sulm kriminal”.

Sipas tij, qëllimi i Flotës Sumud shkon përtej përpjekjes për të hyrë në Gaza “edhe nëse nuk e përmbushim misionin tonë këtë herë, Flota Sumud tashmë ka arritur shumë. Ka tërhequr vëmendjen e botës sërish drejt vuajtjeve të popullit të Gazës… ka detyruar shtete që kanë hezituar të përballen me rrethimin e paligjshëm që ka uritur popullin palestinez dhe u ka mohuar të drejtën për vetëvendosje”.

Adler përmend përbërjen e flotës si një simbol të mbështetjes ndërkombëtare “flota ka dëshmuar se njerëzit e zakonshëm – mjekë, peshkatarë, studentë, gazetarë, juristë, klerikë dhe pensionistë nga 44 vende – jo vetëm që mund të bashkohen për shkak të një indinjate morale, por edhe të marrin vetë masa për të bërë diçka.”

Ndryshe, aktivistët e flotës thonë se do të dokumentojnë çdo veprim dhe u bëjnë thirrje mbështetësve dhe mediave të përhapin informacionin.

Autoritetet e sigurisë ndërkombëtare dhe organizatat humanitare do të jenë të vëmendshme për çdo njoftim për përshkallëzim të dhunës në ujë. /Telegrafi/