Debatet verore për zënien e vendeve në plazhe kanë marrë një dimension krejt të ri në Przhno të Malit të Zi.

Një turist vendosi të përdorë një mënyrë të pazakontë për të siguruar hapësirën e tij në rërë – duke vendosur një qilim në plazh.


Ndërsa shumë pushues zakonisht lënë peshqirë apo shezlongë për të “rezervuar” vendin, ky turist shkoi një hap më tej dhe solli një qilim të vërtetë. Pamjet e pazakonta u publikuan në rrjetet sociale dhe shkaktuan reagime të shumta.

Përdoruesit e rrjeteve sociale nuk i kursyen komentet me humor. Një prej tyre shkroi: “Këtu është parkuar Aladini”, duke e krahasuar qilimin me tapetin magjik nga përralla e famshme. Të tjerë thanë me shaka se për ta kompletuar “dhomën e ndenjjes në plazh” mungonin vetëm një tavolinë, një llambë dhe një komodinë.

Megjithatë, krahas humorit, rasti ka rihapur edhe debatin e vjetër mes turistëve për praktikën e rezervimit të vendeve në plazh me sende personale. Disa e konsiderojnë këtë sjellje të padrejtë, duke argumentuar se plazhet janë hapësira publike dhe nuk duhet të “zihen” për orë të tëra pa praninë e njerëzve.

Ngjarja është bërë virale pikërisht për shkak të mënyrës së pazakontë që zgjodhi turisti për të siguruar vendin e tij buzë detit. /Telegrafi/