Kuvendi i Kosovës ka vendosur të blejë skanerë specialë për kontrollimin e çdo personi që hyn në mjediset e legjislativit kosovar.

Të sfiduar prej muajsh nga futja “misterioze” e gazit lotsjellës në seancat e Kuvendit, nga deputetët opozitarë, zyrtarët e Kuvendit presin që skanerët e rinj të kontrollojnë me imtësi, nëse kapsollat gjenden në trupin e një personi.

Për blerjen e skanerit special, Kuvendi ka kërkuar nga Qeveria një buxhet prej 270 mijë eurosh, i cili është miratuar nga kabineti qeveritar.

“Kuvendi i Kosovës ka saktësuar se, ka nevojë për skanerin e tipit ‘teknologjia valore milimetrike’, që përmbush kërkesat e këtij institucioni”, tha Kujtim Shala, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Zyrtarë të Kuvendit nuk kanë pranuar të flasin për specifikat e skanerit dhe kohën se, kur pritet ta instalojnë, por eksperti i Kriminalistikës, Milazim Gashi beson se me këtë pajisje gazi lotsjellës nuk do të mund të kalojë më pa u zbuluar.

“Ka skanerë që e kapin gazin në mënyrë milimetrike, në mënyrë që e zgjidh njëherë e përgjithmonë problemin e gazit, apo të ndonjë natyre tjetër. Besoj që është një veprim i vonuar, por është hapi i duhur që Kuvendi i Kosovës ta mbyllë njëherë e përgjithmonë këtë çështje në konceptin profesional, në konceptin e sigurisë, që deputetët të mos kalojnë në formën më të vrazhdë, siç kanë kaluar më herët”, tha ai.

Deri tani, për futjen e gazit lotsjellës janë hedhur shumë hipoteza, asnjë e vërtetuar gjithsesi, por në mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit janë hedhur edhe dyshime për bashkëpunim të opozitës me sigurimin e Kuvendit, sikurse edhe te cilësia e dobët e pajisjeve të kontrollit në hyrje. /Top Channel/