Këshilla e profesorit holandez

- Sërish vjen Marsi dhe Prekazi prore shkëlqen dëlirësi -
Festa e heronjve tashmë ka trokitur në kalendarin kohor dhe si gjithnjë Marsi sjell pikëllim, deshpërim, por edhe krenari të pashoqe. Kryeqendra e shpirtit të Kosovës në Prekaz, bëhet me çdo vjet gjithnjë e më e dëlirë, gjithnjë e më shkëlqyese përpara njerëzve të shumtë që përulen deri në pafundësi veprës, dhe sakrificës së madhe të atdhetarëve. Për fatin tone të keq, neve shqiptarëve akoma kërbaçi i armikut nuk po na hiqet shpine dhe edhe në kohërat e reja lufta për liri është po aq e shprehur siç ishte shekuj më parë.
Sakrifica mbinjerëzore e familjes Jashari qëndron si fajkua në kujtesën e atdhedashurisë së kombit dhe dy shteteve shqiptare. Këta njerëz të urtë, bujar, të besës e zakonit, fisnik dhe stoik, i mësuan diçka shumë të rreptë historisë sonë disi të përgjumur në kohërat e reja: se rrjedha e sajë ndryshohet me sakrificë.
Të flasësh për Jasharajt njëmend është gjë shumë e frikshme, sepse të pakta janë fjalët që fjalori i gjuhës Shqipe i disponon për të përshkruar namin e tyre, porse po them vetëm një gjë. Para disa ditësh në një sesion shkencorë në Universitetin Brunel në Londër, takova një studiues holandez me baba kanadez e nënë nga Suedia. Pasi u njohëm me njëri tjetrin Profesori menjëherë mu drejtua me fjalët: çka ka të re në shtetin e Adem Jasharit? Un disi i befasuar nga kjo u mundova që të shpjegoj se Kosova festoj dy vjetorin e Pavarësisë, dhe se po punohet shumë në drejtimin e bërjes së shtetit sa më funksional! Me mirësinë e një studiuesi qellim-mirë ai mu drejtua mua; s’keni pse të hamendeni se çfarë duhet të bëni për ta arritur lirinë e plotë, vetëm ta bëni atë që Jasharajt dhe luftëtarët e tjerë të lirisë e bënë për Kosovën, kuptohet tash jo me armë për me qytetari.
Duke e përfunduar vlerësimin e tij, profesori tha; por së pari duhet të ia filloni me një shtatore të madhe të fëmijëve të flijuar të Jasharajve në qendër të Prishtinës. Më mirë bëjeni ju sesa ta bëjnë Evropa paqedashëse para jush?!
Këshilla e profesorit holandez ishte shumë prekëse dhe po ashtu edhe domethënëse. Neve mësime nuk na duhet sesi bëhet liria, sepse ato rrezatojnë nga virtytet e pa matura të Jasharajve, por na duhen shtatoret e bërësve të lirisë që pamja e tyre hijerëndë të na kujtoj se çka bënë të pa vdekshmit që neve të vdesim në paqe.
(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, hulumtues shkencor në Universitetin e Varshaves, dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)




































