LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet paraburgim për zyrtarin korrektues në Gjilan – dyshohet për dy vepra penale

Kërkohet paraburgim për zyrtarin korrektues në Gjilan – dyshohet për dy vepra penale

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njoftoi të mërkurën se ka ndaluar për 48 orë zyrtarin korrektues me iniciale K.R.

I njëjti dyshohet për dy vepra penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge”.

“Lidhur me këtë rast, Prokurori i Shtetit, ka filluar hetimet dhe njëherit brenda afatit ligjor ka ushtruar kërkesë për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, Shërbimi Korrektues i Kosovës një ditë më parë ka njoftuar se ka pezulluar nga puna zyrtarin në fjalë.

Sipas SHKK-së, i njëjti dyshohet se gjatë kryerjes së detyrës ka kryer veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare duke mundësuar futjen e kontrabandës brenda Qendrës së Paraburgimit në Gjilan.

“Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së, dhe menjëherë janë njoftuar organet kompetente, të cilat po merren e rastin”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i SHKK-së, Florent Gashi.

Masa e pezullimit mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e këtyre dukurive negative dhe do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore ndaj secilit individ, i cili është i përfshirë në veprime të tilla, pavarësisht rolit dhe funksionit që ka”, ka njoftuar tutje Gashi./Telegrafi/