LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet paraburgim për gjashtë të arrestuarit në aksionin e antidrogës

Kërkohet paraburgim për gjashtë të arrestuarit në aksionin e antidrogës

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar të enjten se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj gjashtë personave të cilët u arrestuan gjatë operacionit policor antidrogë që u zhvillua në Mitrovicë e Fushë Kosovë.

Kërkesa është bërë konkretisht nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prizren.

Të pandehurit S.B., B.R., Gj.R., (shtetas të Republikës së Shqipërisë) dhe N.M., A.M.(1991) dhe A.M.(1999), (shtetas të Republikës së Kosovës) gjenden në ndalim 48 orësh nga data 20.04.2022.

Aksioni i policisë në Mitrovicë e Fushë Kosovë, Sveçla: Pas laboratorit, u shkatërrua edhe rrjeti i kontrabanduesve të drogës
Lexo po ashtu Aksioni i policisë në Mitrovicë e Fushë Kosovë, Sveçla: Pas laboratorit, u shkatërrua edhe rrjeti i kontrabanduesve të drogës

Sipas Prokurorisë, arrestimi tyre ka ardhur si rrjedhojë e një hetimi disa mujor në bashkëpunim të plotë me Policinë e Kosovës.

“Sipas kërkesës së prokurorisë, me datë 20.04.2022, të pandehurit blejnë ose posedojnë pa autorizim me qëllim të shitjes, shpërndajnë ose ofrojnë për shitje dhe importojnë substanca apo preparate të shpallura me ligj si narkotikë,  në atë mënyrë që me marrëveshje paraprake dhe në mënyrë të organizuar i ndajnë rolet”, thuhet në komunikatën për media.

“Në këtë mënyrë i pandehuri Gj.R., i shet substanca narkotike të llojit marihuanë të pandehurve N.M, A.M., dhe A.M., të cilën substancë narkotike me  automjetin e tipit “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë tek i pandehuri B.R., ku rreth orës 06:30 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, i cili më pas në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës takohet me të pandehurin N.M., bashkërisht hyjnë në garazhin e shtëpisë së të pandehurit N.M., për ta dorëzuar substancën narkotike, ku kapen në flagrancë të dy të pandehurit”.

Operacioni i antidrogës në Mitrovicë e Fushë Kosovë – konfiskohen mbi 56 kilogramë marihuanë dhe arrestohen pesë persona
Lexo po ashtu Operacioni i antidrogës në Mitrovicë e Fushë Kosovë – konfiskohen mbi 56 kilogramë marihuanë dhe arrestohen pesë persona

“Gjatë kontrollit në automjetin “Mercedes” me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë në bunkerin special të automjetit policia gjen 10,583 kg substancë narkotike të dyshuar për marihuanë, në garazhin e shtëpisë, pronë e të pandehurit N.M., policia gjen dy thasë të najlonit në 12 gjegjësisht 15 paketime me peshë 18 kg e 905 gram dhe 12 kg e 206.7 gram, nga ku të pandehurit N.M, A.M., dhe A.M., do ta transportonin në Serbi”.

“Ndërsa, i pandehuri S.B., marihuanën e marrë nga Gj.R., me  automjetin e tipit “Mercedes” po ashtu me targa të regjistrimit të Republikës së Shqipërisë e transporton nga Shqipëria në Kosovë, ku rreth orës 05:40 minuta e kalon pikën kufitare të Vërmicës, me destinacion të arrijë në Prishtinë, e kur arrin në lagjen “Uglar” të Fushë Kosovës ndalohet nga policia, e gjatë kontrollit të automjetit në bunkerin e modifikuar të automjetit policia gjen 10,072 kg substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të destinuar për tregun e Prishtinës”.

Me këto veprime, në cilësinë e bashkëkryerësve, të dyshuarit kishin për ta kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton gjithashtu se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar dëshmitë si në vijim: substanca e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, tri vetura të tipit Mercedes (dy me targa të Shqipërisë një me targa vendore, që të tria me bunker të modifikuar në të njëjtën mënyrë), shtatë telefona celula, 10 mijë e 507 euro, si dhe disa monedha Lek të Shqipërisë dhe Denar të Serbisë. /Telegrafi/