KEK-u shkyçje pa kontroll

Ditën kur Fahrije Gjokaj e shleu borxhin ndaj Korporatës, ekipet e kësaj të fundit e shkyçën nga rrjeti. Kjo pavarësisht faktit se kishte afat edhe një ditë për ta shlyer borxhin.
Saktësisht më datën 21 të dhjetorit të vitit të kaluar, Gjokaj kreu pagesën për rrymën e harxhuar muajin nëntor. Po në këtë ditë, pa asnjë paralajmërim, u shkyç nga rrjeti elektrik, shkruan Express.
Në fatura shihet që kjo konsumatore ka pasur edhe një ditë afat për ta kryer borxhin, saktësisht deri më datën 22 të dhjetorit.
Gjokaj rrëfen se dëmi që i është shkaktuar nga kjo është i madh dhe se po mendon edhe për padi në gjykatë. “Pagesa për muajin nëntor është bërë më datën 21.12.2012. Shkyçja është bërë pikërisht këtë ditë, por unë si e kam bërë pagesën, kam shkuar në pushim. Ndërkaq, skadimi për pagesë ka qenë më datën 22.12.2012. Shkyçja është bërë një dita para afatit të skadimit për pagesë”, thotë Gjokaj.
Ajo thotë se gabimin ia kanë konfirmuar edhe në KEK, por që e kanë detyruar të bëjë ankesë për ta kyçur serish. “Kam thirr në KEK. Ata e kanë konfirmuar që pagesa është bërë në rregull dhe me kohë. Ata më thanë të lajmërohem në sportel edhe më bo ankesë për ri kyçje. Unë u thashë me bo ankesë për me i kërkuar falje KEK-ut që e kom bo pagesën me rregull apo çka”, tregon Gjokaj.
Kurse, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka thënë se konsumatori në fjalë ka pasur të pa paguar tarifën e shërbimeve që është kyçur në rrjetin elektro-energjetik dhe ky shërbim ka ndikuar që konsumatori të jetë në listën e shkyçjeve. “Pra, pos faturës kishte edhe tarifën, prandaj pasi kishte edhe borxh të papaguar jashtë faturës së fundit, atëherë data e cekur nga ju vlen vetëm për faturën e fundit e jo edhe për borxhin jashtë saj”, ka thënë Buzhala. /Telegrafi/






































