LAJMI I FUNDIT:

KEDS vendos dy trafo të reja dhe përmirëson rrjetin në Mleqan të Malishevës

KEDS vendos dy trafo të reja dhe përmirëson rrjetin në Mleqan të Malishevës

Banorëve të fshatit Mleqan të Malishevës, të cilët kryesisht merren me ndërtimtari, KEDS ua ka lehtësuar shumë punët pas investimeve të fundit që kanë bërë në këto anë. Lagjet Shabanaj, Sejdiaj dhe Selmanaj, kanë ndjerë dukshëm këto investime. Gjithsej janë 108 familje në fshat që do të përvetësojnë nga këto investime.

Përveç banorëve, edhe kryetari i fshatit, Ismet Kryeziu, shprehet mjaft i kënaqur me punën e KEDS-it.

“Si fshat, jemi të kënaqur me punën e KEDS-it që është bërë deri këtu. Kompania ka vendosur dy trafo të reja dhe janë larguar kabllot e vjetra dhe shtyllat që kanë qenë që nga viti 1970. Me këtë, është larguar edhe rreziku që ka qenë gjithmonë i pranueshëm. Por ne kemi nevojë edhe për shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, me shtimin e popullsisë në fshat, për këtë jemi në bisedime me zyrtarët e KEDS-it”, ka thënë ai.

Gjatë implementimit të këtij projekti, KEDS në fshat ka vendosur dy trafo të reja, njëra me kapacitet prej 400kVA dhe tjetra me kapacitet prej 250kVA. Gjithashtu janë vendosur 79 shtylla të tensionit të mesëm dhe 16 të tjera të tensionit të ulët. Për këtë projekt është bërë edhe shpërndarja e 3,2 km e rrjetit të tensionit të ulët dhe 1,2 km të rrjetit të tensionit të mesëm.

Edhe Fikret Kryeziu, banor i fshatit po gëzon këto investime dhe falënderon KEDS-in për rrezikun e larguar.

“Telat kanë qenë barabar me murin dhe jena tutë mos po ndodh diçka e keqe. Rreziku tash na është largu dhe tensioni i rrymës është stabilizu”, ka thënë Kryeziu.

KEDS do të vazhdojë të shtrijë investimet në të gjithë territorin e Kosovës, duke u dhënë përparësi vendbanimeve që janë në gjendje më të rëndë energjetike. /Telegrafi/