KDI: Zgjedhja e presidentit pa kuorumin e nevojshëm cenon drejtpërdrejt rendin kushtetues

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar kundër përpjekjeve eventuale për të proceduar me zgjedhjen e presidentit pa përmbushjen e kuorumit kushtetues, duke paralajmëruar për pasoja serioze për rendin demokratik dhe funksionimin institucional të vendit.
Në reagimin e tij, KDI thekson se një veprim i tillë do të cenonte drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe demokracisë parlamentare në Kosovë.
Sipas këtij instituti, praktika dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të qarta se në dy raundet e para të votimit për president kërkohet pjesëmarrja e të paktën dy të tretave të të gjithë deputetëve, ndërsa vetëm pas përmbushjes së kësaj procedure mund të vazhdohet me raundin e tretë.
KDI ka paralajmëruar se çdo tentativë për ta anashkaluar këtë procedurë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese.
Sipas reagimit, nuk ekziston asnjë bazë ligjore që mundëson uljen e kuorumit për shkak të mungesës së deputetëve, ndërsa një veprim i tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm dhe do të hapte rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese.
Instituti Demokratik i Kosovës u ka bërë thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që mund të thellojnë krizën institucionale, duke kërkuar rikthim të plotë në procedurat ligjore për zgjedhjen e presidentit.





















































