LAJMI I FUNDIT:

KDI: Marrëveshja për demarkacionin duhet t’i nënshtrohet procesit të votimit

KDI: Marrëveshja për demarkacionin duhet t’i nënshtrohet procesit të votimit

KDI shpreson se seanca e sotme parlamentare e Kuvendit të Kosovës, ku parashihet ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të zhvillohet në frymën e një debati të hapur dhe konstruktiv duke respektuar faktet e paraqitura dhe pikëpamjet e ndryshme politike.

“Pavarësisht epilogut, marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi nuk duhet të prolongohet më tej, por duhet t’i nënshtrohet procesit të votimit për t’i hapur rrugë zhbllokimit të jetës politike e institucionale”, thuhet në një komunikatë për media nga KDI.


KDI vlerëson se deputetët si përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve, sot më shumë se të tjerët kanë përgjegjësinë që të marrin vendime për tema që kanë kaluar nëpërmjet polarizimeve të mëdha shoqërore, ndërsa vota e tyre të bazohet në vullnetin e  tyre dhe të mos jetë e ndikuar nga presione apo shantazhe.

“Vendimet e dala nga vota e deputetëve, cilat do qofshin ato, duhet të jenë të pranueshme nga të gjitha institucionet, partitë politike dhe qytetarët të cilët përmes votës së tyre i kanë zgjedhur ata”.

Në anën tjetër, KDI thekson se protestat si një e drejtë qytetare duhet të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore, pa cenuar të drejtat e qytetarëve të tjerë dhe pa cenuar institucionet e shtetit, ndërsa autoritetet shtetërore duhet të garantojnë shprehjen e kësaj të drejte dhe të krijojnë kushte të mjaftueshme për të protestuar.