Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar ndaj mënyrës së trajtimit të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Kuvend, duke e cilësuar procesin si të përshpejtuar dhe në kundërshtim me Rregulloren parlamentare.

Sipas KDI-së, organizimi i dëgjimit publik “sot për nesër” është në kundërshtim me standardet procedurale dhe kufizon ndjeshëm pjesëmarrjen e shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe ekspertëve në procesin ligjvënës.


“Organizimi i dëgjimit brenda më pak se 24 orësh e pamundëson praktikisht një përgatitje të mirëfilltë dhe kufizon kontributin e akterëve relevantë,” thuhet në reagim.

KDI thekson se Neni 38(7) i Rregullores së Kuvendit parasheh që dëgjimi publik nuk mund të mbahet pa kaluar të paktën pesë ditë nga caktimi i tij, duke synuar të garantojë pjesëmarrje të gjerë dhe përmbajtësore.

Sipas institutit, vendimi i Komisionit për Legjislacion për të organizuar dëgjimin brenda një afati shumë të shkurtër është marrë vetëm me votat e shumicës parlamentare dhe pa përfshirjen e opozitës, duke ngritur shqetësime për respektimin e procedurave.

KDI po ashtu kritikon mungesën e bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, duke thënë se një qasje e tillë dërgon “mesazh negativ për përfshirjen e tyre në proceset vendimmarrëse”.

Në reagim theksohet se, ndonëse projektligji ka rëndësi të veçantë në luftën kundër korrupsionit, mënyra e zhvillimit të procedurës ligjvënëse është po aq e rëndësishme sa edhe përmbajtja e tij.

Në fund, KDI i ka bërë thirrje Kuvendit dhe deputetëve të shumicës parlamentare që të respektojnë afatet dhe standardet procedurale, duke siguruar një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur për të gjitha palët e interesuara.