LAJMI I FUNDIT:

KDI: Kosova dhe Serbia larg normalizimit të marrëdhënieve

KDI: Kosova dhe Serbia larg normalizimit të marrëdhënieve

Gjashtë vite pas arritjes së Marrëveshjes së Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se mungesa e zbatimit të plotë të kësaj marrëveshje nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e qytetarëve.

“Kjo marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe e nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Ivica Daçiq, u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor të vitit 2013 si marrëveshje ndërkombëtare. Kjo është e para dhe e vetmja marrëveshje e ratifikuar në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E njëjta nuk është ratifikuar nga Kuvendi i Serbisë. Madje, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e kishte cilësuar Marrëveshjen e Brukselit si çështje politike dhe jo ligjore, andaj edhe kishte refuzuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së saj.


Marrëveshja “historike” ishte një tentativë e BE-së për zgjidhjen e problemeve midis dy shteteve, ndërsa 15 pikat e saj synonin rregullimin e çështjeve që ndërlidhen me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, integrimin e strukturave të sigurisë dhe atyre të drejtësisë, organizimin e zgjedhjeve lokale në katër komunat veriore të Kosovës, energjinë, telekomunikacionin dhe rrugëtimet përkatëse evropiane”, thuhet në njoftimin për media.

Problematikat të cilat kanë shoqëruar zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve, por edhe shumicën e marrëveshjeve pasuese sipas KDI-së janë:

1. Ambiguiteti konstruktiv – Marrëveshjet përmbajnë dykuptimësi që krijojnë hapësirë për interpretimin të ndryshëm mbi aspekte të caktuara të obligimeve të parapara mes palëve. Në mungesë të një interpretimi objektiv të marrëveshjes nga ana e BE-së, palët kanë shfrytëzuar hapësirën e interpretimit të njëanshëm të marrëveshjes, duke zgjedhur mënyrën e (mos)zbatimit të saj;

2. Mungesa e mekanizmave garantues dhe mbikëqyrës – Fokusi i BE-së ka qenë i orientuar në lehtësimin e arritjes së marrëveshjeve mes palëve, por jo në garantimin e zbatimit të tyre. Kjo është reflektuar edhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian të vitit 2018, ku adresohet nevoja e arritjes së marrëveshjeve, pa u vënë theks edhe tek zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani. Si palë lehtësuese e dialogut, BE-ja nuk ka arritur të detyrojë palët që të zbatojnë marrëveshjet në afatet e përcaktuara kohore. Si pasojë e kësaj, zbatimi i marrëveshjeve ka mbetur në diskrecionin e Kosovës dhe Serbisë, që në mungesë të mekanizmave detyrues, kanë shtyrë zbatimin e marrëveshjeve apo dhe nuk i kanë zbatuar fare ato. Si rezultat i vonesave në zbatimin e tyre, pjesë të caktuara të marrëveshjeve edhe janë rinegociuar;

3. Mungesa e vullnetit politik – Si një proces i ndjeshëm politik, mungesa e vullnetit politik që shoqëroi procesin e dialogut mund të vlerësohet në dy nivele: në nivel të brendshëm dhe atë bilateral. Në nivelin e brendshëm, zhvillimet politike dhe shoqërore brenda dy shteteve ndikuan në nivel të ulët të zbatimit të marrëveshjeve. Në nivelin bilateral në mes dy shteteve, implikimet politike të cilat derivojnë nga zbatimi i marrëveshjes, që ishin përtej aspektit teknik, ndikuan që palët, sidomos Serbia, të hezitojë të zbatojë marrëveshjet;

4. Mungesa e transparencës – ka shoqëruar procesin e dialogut që nga fillimi i tij. Kjo ka ndikuar në uljen e besueshmërisë qytetare ndaj procesit, por edhe në pamundësimin e bashkërendimit institucional dhe mbështetjes politike lidhur me tema të ndryshme që janë diskutuar;

Marrë në konsideratë problemet e lartpërmendura, por edhe zhvillimet aktuale që ndërlidhen me fazën përmbyllëse të dialogut Kosovë-Serbi, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ofron rekomandimet si në vijim:

1. Marrëveshja përfundimtare nuk duhet të shkruhet në frymë ambiguiteti – andaj duhet që në mënyrë të qartë të përcaktojë ruajtjen e shtetësisë së Kosovës, përfshirë çështjet që ndërlidhen me integritetin territorial, funksionimin unitar kushtetues të Kosovës, si dhe përfaqësimin ndërkombëtar të Kosovës;

2. Konsensusi i gjerë politik – Delegacioni Shtetëror, i krijuar për të përfaqësuar Kosovën në fazën përmbyllëse të dialogut, nuk ka gjetur përkrahje të gjerë në mesin e spektrit politik. Arritja e konsensusit të gjerë politik rreth kësaj faze është kyçe para arritjes së një marrëveshje eventuale;

3. Proces transparent – Institucionet e Kosovës, përfshirë grupin negociator, duhet të garantojnë transparencë të procesit, duke mbajtur të informuar Kuvendin, shoqërinë civile dhe qytetarët për të gjitha zhvillimet që ndërlidhen me procesin e dialogut;

4. Garancitë për zbatimin e marrëveshjeve – Bashkimi Evropian dhe SHBA duhet të kenë rol garantues të marrëveshjes eventuale mes palëve;

5. Afatet e zbatimit të marrëveshjes – Marrëveshja eventuale duhet të ketë afate strikte të zbatimit, si dhe masa ndëshkuese për palët mos zbatuese;

6. Marrëveshja duhet të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së – Marrëveshja potenciale, përveç që duhet të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve, duhet gjithashtu të regjistrohet në Sekretariatin e OKB-së (UNTC) si marrëveshje ndërkombëtare, duke evituar interpretimet e ndryshme të palëve mbi natyrën e saj. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Shqiptohen 10 gjoba për dhënien e

Shqiptohen 10 gjoba për dhënien e "Ozempic" pa recetë të mjekut - Spitali i Gjilanit raporton për tre raste me efekte të dyshimta nga përdorimi i tij

Shëndetësi
Arrestohet një person në Bërnjak, kishte vendosur 50 euro në mesin e dokumenteve gjatë kontrollit në pikën kufitare

Arrestohet një person në Bërnjak, kishte vendosur 50 euro në mesin e dokumenteve gjatë kontrollit në pikën kufitare

Kronika e Zezë
Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Një veturë mbi 5 mijë euro dhe disa para të kursyera, çfarë pasurie ka Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha?

Lajme
Përleshje fizike mes dy personave në Prishtinë, një polic lëndohet gjatë intervenimit për t'i vënë në kontroll

Përleshje fizike mes dy personave në Prishtinë, një polic lëndohet gjatë intervenimit për t'i vënë në kontroll

Kronika e Zezë
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Tahiri: Kurti të jap shpjegim pse Serbia mbeti e pa ndëshkuar edhe pas rastit në Banjskë

Tahiri: Kurti të jap shpjegim pse Serbia mbeti e pa ndëshkuar edhe pas rastit në Banjskë

Lajme
Kalo në kategori