LAJMI I FUNDIT:

Karta e ndërgjegjes botërore, e varrosur në Halep e Mesdhe

Karta e ndërgjegjes botërore, e varrosur në Halep e Mesdhe

Civilë të vrarë – të shumtët fëmijë e gra. Fytyra të mbuluara me gjak e trupa të gjymtuar që ende frymojnë. Qyteti i kthyer në gërmadhë mbi pluhurin e të cilit qindra mijëra njerëz ngrehin duart përpjetë dhe kërkojnë me sa zë që kanë – shpëtim nga Zoti. Nga zori dhe dëshira për të jetuar, kërkojnë ndihmë edhe nga pjesa tjetër e njerëzimit. Kërkojnë ndihmë e mëshirë edhe nga ata që Halepin dikur të bukur, e kanë shndërruar në varrezë masive të sirianëve.

Mesazhe e rrëfime drithëruese mbi përjetimet e një apokalipsi, pamje të sakrificave që bëjnë misionarët vullnetmirë për të shpëtuar së paku dikë nga rrënojat, dhe egërsia e pashembullt e ushtarëve dhe rebelëve të armatosur, përcillen pandërprerë nga vendi ku civilizimit po i jepet vula e fundit e vdekjes. Tmerri që po ndodhë aty, në masë të madhe shihet e dëgjohet. Por, kjo nuk është e gjithë tragjedia njerëzore që po e përcjell këtë popull. Në këtë katrahurë po kalohet në heshtje tabloja tjetër, që njësoj e turpëron botën, por që ne as s’e shohim e as s’e dëgjojmë. Mundemi vetëm ta imagjinojmë, pasi lufta tjetër për mbijetesë nuk zhvillohet mbi dhe, por në ujë – në det.


Për më pak se tri vjet, supozohet se Mesdheu i ka përpirë mbi 10 mijë veta. Shumë shqiptarë që gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar kanë ikur përmes detit për të mbërritur diku në Perëndim, mund ta imagjinojnë se nëpër çfarë skëterre kanë kaluar këto viktima para se të shuheshin. Mund ta imagjinojnë, sepse u ka rënë të kenë bashkëlundruar me gomone, me gra e me fëmijë, në drejtim të Leqes, Barit apo Brindisit të Italisë. Secilit që ka bërë këtë udhë, mund t’i kujtohet se mbi detin e hapur nuk ndriçon as Hëna. Në terr dëgjohen vetëm britmat dhe ndjehen prekjet e atyre që nuk duan të të lëshojnë që të të përpijnë valët.

Ata që nuk e kanë përjetuar këtë gjë, edhe mund të mos besojnë se britmat e fëmijëve për të mos u shkoqur nga duart e prindërve janë aq të fuqishme sa jehona e tyre të ndjek për sa të jetë jeta.

Agjencia kufitare Frontex së fundmi njoftoi se vetëm sivjet në Bashkimin Evropian kanë hyrë rreth 350 mijë migrantë. Statistikat e mëhershme flasin se çdo i 89-ti mbytet në det. Një vit më parë ishte ndryshe: vdekja e kapte një në 276 prej tyre. Kështu, derisa Halepi është shndërruar në varrezë në tokë, Mesdheu është shndërruar në varrezë ujore. E, si për Helepin, ashtu edhe për Mesdheun, në qendrat e vendosjes mbahen takime, adresohen faje, shprehen keqardhje, por varret i lënë të hapura.

Ekspertja e së drejtës ndërkombëtare, Nele Matz-Lück, e përjeton OKB-në si të paaftë për të vepruar. Ajo thotë se tash e kemi një nivel tjetër zero në historinë e Kombeve të Bashkuara, për çka nuk e fsheh frikën se prej kësaj organizate nuk mund të presësh më tepër – e aq më pak të mund t’i besosh. Humbja e besimit në OKB është e nënkuptueshme pasi që, siç thotë ajo, pas Ruandës, pas Srebrenicës, e pas shumë krimeve të tjera mizore, në këtë organizatë vetëm jepen zotime se “një gjë e tillë nuk duhet të përsëritet kurrë”. Por, ja që po përsëritet.

E, derisa OKB po e bllokon veten, mizoria e luftimeve i detyron njerëzit të marrin arratinë. Conny Lenneberg, që punon si drejtoreshë rajonale për Lindjen e Mesme në organizatën e ndihmës World Vision, alarmon se në Siri, që prej shpërthimit të luftës, ndodhen 12 milionë njerëz në arrati. Këta janë më shumë se gjysma e popullsisë siriane. Dhe, nëse të gjithë pajtohen se Kombet e Bashkuara dështuan krejtësisht, siç e pranoi edhe vet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në largim, Ban Ki-moon, atëherë ku janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian? Çfarë po bëjnë ato?

Këtë pyetje e shtron Rainer Sollich, njohësi i zhvillimeve në Lindje që punon për Deutsche Welle.

“Praktikisht asgjë! Perëndimi paralajmëron dhe dënon, thërret konferenca, vë në rrugë rezoluta. Por, në të vërtetë, ai vetëm bën sehir”, vetëpërgjigjet ai. E çfarë do të mbetet pas dhjetë vjetësh Ban Ki Moon? “Një marrëveshje për klimën – testamenti i tij, për aq kohë sa atë ta grisë Donald Trumpi. Një luftë në Siri e cila është kthyer në një plagë ulçeroze të botës”.

Dilemat rreth OKB-së i hap me të drejt edhe Astrid Prange de Oliveira. A e ka humbur kredibilitetin e saj Karta e Ndërgjegjes Botërore, që më 10 dhjetor 1948 u lexua nga Eleanor Roosevelt, e veja e Franklin D. Rooseveltit, para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Paris? Rrethanat me krimet e luftës në Halep, e nxisin atë që kësaj pyetjeje t’i përgjigjet me: Po, Toka po digjet!

Të pafuqishmit, ata që nuk duan ta shohin botën të kuqe, nuk arrijnë të bëjnë më shumë sesa të solidarizohen me viktimat. Të ndezin qirinj e të shkruajnë apele për paqe nëpër rrugë e në rrjete sociale. Të gjithë e duanë përfundimin e dramës siriane. Por, tragjedia siriane, siç thotë Nehat Islami, nuk mbaron as me rënien e Halepit.

Kushedi edhe për sa kohë, edhe Mesdheu do të jetë varr i ndërgjegjes njerëzore.

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

A do të jetë Kosova vendi i parë në botë me shumicë myslimane që do të mundësojë martesat e së njëjtës gjini, Martens: Me sa duket po

Lajme
Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

Rebelohet një lojtar në zhveshtoren e Real Madridit, Ancelotti nuk mund ta menaxhojë më

La Liga
Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Rënia e një prej më të mirëve në botë – e larguan nga klubi në ditën e dasmës, tani stërvitet me amatorë

Ndërkombëtare
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori