Kapet mall i padeklaruar me vlerë rreth 15 mijë euro në Vërmicë

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mall të padeklaruar me vlerë të përafërt prej rreth 15 mijë eurosh gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, rasti ka ndodhur më 23 korrik 2026, kur për kontroll është ndaluar një automjet i tipit Volkswagen që po hynte në Republikën e Kosovës.
“Bazuar në analizën e rrezikut dhe procedurat standarde të kontrollit, është kryer kontrolli fizik i automjetit, gjatë të cilit janë zbuluar disa thasë të mbushur me mallra të natyrës komerciale, të cilat nuk ishin deklaruar pranë Doganës së Kosovës. Vlera e përafërt e mallrave të zbuluara vlerësohet të jetë rreth 15,000 euro”, thuhet në njoftim.
Dogana bëri të ditur se gjatë intervistimit, drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra apo mjete monetare për t’i paraqitur pranë autoriteteve doganore.
“Gjatë intervistimit nga zyrtari doganor, drejtuesi i automjetit është pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare për t'i deklaruar pranë autoriteteve doganore, mirëpo ai ka deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur”, thuhet më tej.
Sipas Doganës, në përputhje me Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, mallrat janë ndaluar përkohësisht në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, ndërsa ndaj rastit janë iniciuar procedurat administrative për përcaktimin e përgjegjësisë dhe ndërmarrjen e masave të parapara me ligj.
Dogana e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave fiskale të vendit, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe parandalimin e kontrabandës, evazionit doganor dhe çdo forme të tregtisë së paligjshme.
Po ashtu, ajo u bëri thirrje të gjithë udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë që të respektojnë detyrimin ligjor për deklarimin e mallrave gjatë hyrjes dhe daljes nga territori doganor i Republikës së Kosovës. /Telegrafi/




































