Mohammed Tahir Ayaz me bashkëshorten Ikra Hussain, janë çifti britanik nga Yorkshire, që rrezikojnë dënimin me vdekje në Pakistan, pasi tentuar të kontrabandonin 25 kilogramë lëndë narkotike.

Burri 26-vjeçar dhe bashkëshortja e tij gjashtë vite më e re, kishin fshehur sasi të mëdha heroine në rrobe grash, që në treg do arrinte vlerën e mbi dy milionë eurove, transmeton Telegrafi.

Ata planifikonin të udhëtonin nga aeroporti i Sialkot i Pakistanit, për në Britani të Madhe, nëpërmjet Dubait, mirëpo iu dështuan planet. Forcat e rendit, i arrestuan derisa po bëheshin gati të hipnin në aeroplan.

Sasinë e heroinës së kualitetit të lartë, që në tërësi arrinte në 25 kilogramë, ata e kishin shpërndarë në shumë qese, të cilat i fshehën nëpër rroba. Por, u kapën pas kontrollit dhe u dërguan në mbajtje.

Bazuar në ligjet pakistaneze, ata rrezikojnë të dënohen me vdekje nëse shpallen fajtorë për kontrabandë, apo të kalojnë tërë jetën në burg. /Telegrafi/