Një pjesë e tavanit të një restoranti në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson në Atlanta është shembur sot, ku si pasojë një grua ka pësuar lëndime trupore.

E gjitha ndodhi rreth orës 8 të mëngjesit në afërsi të një prej terminaleve kryesore për trafikun ajror brenda shtetit, thuhet në njoftimin e lëshuar nga zyrtarë të këtij aeroporti, transmeton Telegrafi.

Ata nuk kanë dhënë detaje për lëndimin e gruas, por kanë pranuar se është dërguar me urgjencë në spital për tretman. Në fotografitë dhe videot e publikuara në rrjetet sociale, mund të shihen punëtorët e veshur me rroba ngjyrë portokalli duke analizuar gjendjen e lokalit, derisa pasagjerët po shikonin nga distanca.

Shembja e një pjese të tavanit të restorantit nuk ka ndikuar në trafikun ajror të aeroportit, pasi të gjitha fluturimet e parapara janë realizuar me kohë. /Telegrafi/