Njihuni me historinë e Kanita Ramaxhiku nga Kosova: La universitetin, u fokusua në TikTok me biznesin e saj për të fituar mbi 30 mijë euro në muaj në Londër

Shqiptarja nga Kosova, Kanita Ramaxhiku, 26-vjeçe, e lindur në Gjermani, ka arritur të transformojë pasionin e saj për pjekjen në një biznes tepër fitimprurës.
Ajo ka treguar më herët në një intervistë se, pasi lindi në Gjermani, familja e saj u shpërngul në Skoci kur ishte ende bebe, dhe rreth moshës 11-vjeçare u zhvendosën në Londër, Angli.
Kanita ka treguar gjithashtu se pasioni për gatimin e ka lindur që në fëmijëri, duke kaluar shumë kohë në kuzhinë me nënën e saj.

Ky pasion u bë baza për vendimin e saj të guximshëm: braktisjen e universitetit, ku studionte për film, për t’u përqendruar në ëndrrën e saj për të bërë ëmbëlsira.
Sot, ajo fiton rreth 1,000 funte (rreth 1,146 euro) në ditë duke prodhuar 'brownies' dhe ëmbëlsira të personalizuara, ka shkruar edhe The Sun.
Biznesi i saj, Kanita Bakery, u bë i njohur kryesisht falë TikTok-ut, ku videot e saj të përgatitjes së ëmbëlsirave grumbulluan miliona shikime, duke i dhënë mundësinë të arrijë një audiencë shumë më të gjerë.
Video të shumta tregojnë procesin nga brenda, duke nxjerrë në pah kreativitetin dhe përkushtimin e ekipit të saj.
Kanita tregon se sekreti i suksesit të ‘brownies’ të saj qëndron në shijen dekadente, teksturën e lehtë dhe pamjen tërheqëse, që i bën perfekte për Instagram.

Në muajt më të mirë, ajo ka arritur të fitojë deri në 30,000 funte (afërsisht 34,400 euro), dhe për të përballuar kërkesën në rritje, punëson një ekip prej shtatë personash për të ndihmuar në përgatitje dhe paketim.
Në vend që të shpenzojë fitimet për luks, Kanita i përdor ato për të riinvestuar në biznes dhe për ta përmirësuar atë.
@thenumbersgame1 📊How this 28-year old Kosovan entrepreneur sold 2.4M brownies on TikTok. #entrepreneur #business #founder ♬ original sound - thenumbersgame
Ajo tregon se dëshiron të sigurojë stabilitet dhe liri financiare, me plane për të blerë një shtëpi për vete dhe për nënën e saj, e cila e ka mbështetur që nga fillimi.
Ky rast është një shembull i qartë se pasioni dhe puna e palodhur mund të çojnë në sukses, edhe kur rruga profesionale duket e pazakontë. /Telegrafi/



























































