LAJMI I FUNDIT:

Kadriu: Qeveria teknike nuk mund të vendos për euro-obligacionin

Kadriu: Qeveria teknike nuk mund të vendos për euro-obligacionin

Qeveria patjetër ta respektojë Ligjin për Qeveri i cili është në fuqi dhe të heqin dorë nga procesi i mëtutjeshëm i emetimit të euro-obligacionit sepse rrjedha e deritashme e huamarrjes së këtillë është e paligjshme, ka thënë për Plusinfo, profesori i të drejtës, Osman Kadriu, duke i komentuar pasojat juridike nga shtyrja e emetimit të euro-obligacionit në vlerë prej 650 milionë euro, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Sipas tij, mirë është që agjentët për shitje të euro-obligacionit e kanë ndaluar në kohë procedurën e mëtejme sepse vazhdimi do të ishte akt kundërligjor.


“Ligji për Qeveri i miratuar pas nënshkrimit të Marrëveshjes “Përzhino” është në fuqi dhe në këtë drejtim vendimet e Qeverisë për çfarëdo huazimi pa konsultim, respektivisht deklarim të zëvendësministrave plotësues, këto vendime nuk kanë bazë ligjore” ka thënë Kadriu.

Për një huamarrje të këtillë nuk mund të vendos as kjo e as cilado qeveri tjetër teknike për realizimin e zgjedhjeve, konsideron profesori Kadriu.

“Duke pas parasysh që shuma është kolosale, ndërsa nuk dihet se ku do të harxhohen paratë, më së miri është që procesi i emetimit të këtij euro-obligacioni të ndërpritet dhe të konsiderohet si një proces i përfunduar. Vendimi për një huazim të këtillë duhet ti lihet një qeverie me legjitimitet të plotë të fituar në zgjedhjet e radhës”, është shprehur Kadriu./Telegrafi/