Kadrijaj për seancën e jashtëzakonshme: Do të qëndrojmë në sallë, i kemi nënshkrimet

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj ka deklaruar se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet sonte.
Kadrijaj në një përgjigje me shkrim për KosovaPress tha se deputetët do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe se janë siguruar nënshkrimet e nevojshme.
Kujtojmë se sonte skadon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, i përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, deri tani nuk është bërë e ditur nëse do të vazhdojë seanca konstituive e ndërprerë të enjten.
Seanca u ndërpre me kërkesë të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili kërkoi kohë shtesë për konsultime me partitë politike me synim arritjen e një marrëveshjeje politike. Deri më tani nuk ka njoftim zyrtar nga Kuvendi për kohën e vazhdimit të saj.
Nëse seanca nuk mbahet dhe procesi i konstituimit nuk përfundon brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, situata mund të krijojë pasoja të reja juridike dhe politike, për të cilat pritet interpretim nga institucionet kompetente, gjegjësisht Gjykata Kushtetuese.





































