LAJMI I FUNDIT:

A ka nevojë për një histori të re letërsia shqipe apo thjesht ta zëvendësojë ajo historinë?!

A ka nevojë për një histori të re letërsia shqipe apo thjesht ta zëvendësojë ajo historinë?!

Letërsia është si një organizëm i gjallë, e cila kërkon gjithnjë identifikim duke u ushqyer. Nga ana tjetër, përpjekja që kanë bërë shumë autorë të sotëm për të përçuar aspekte historike mirëfilli, jo pak herë e shndërruan letërsinë shqiptare të duket vërtetë se ka sfond mirëfilli dokumentar.

Por, kemi një problem. Dhe, ky nuk mund të konsiderohet aspak i vogël.


Arti s’është asnjëherë fakt dhe historia nuk mund të jetë kurrë fantazi, paçka se në Shqipëri nga problemi i identifikimit shumë e bëjnë letërsinë të duket histori me plot penegjirizma që e kanë modifikuar dhe vetë gjininë e bukur, kurse historinë që bëjnë shumë pseudo bashkë me shumë gjysmë-profesionistë, e kanë kthyer këtë zeje gati në fantazi, ngjashëm me letërsinë. Kjo të bën të mendosh për habirat e mëdha që na ofron letërsia jonë e këtyre kohëve që gati po e glorifikon Bllokun, po tregon histori gati të pabesueshme për masivizimin disident apo me kinse fantazitë e tjera, kinse persekutimet e shumë gjojave, që kanë zbehur realisht problematika të vendit. Blloku, por jo vetëm, i cili prodhoi shumë prej të keqes në vend dhe më shumë akoma ishte përgjegjës për modelin e zgjedhur të zhvillimit të vendit, ka lënë shumë pasonjës, që gati po e shndërrojnë krejt letërsinë në një narracion të ri, mbushur me histori të paqena.

Ka një ngushëllim po të kemi parasysh një moment Platonin. Sipas tij, arti është gënjeshtër, e në këtë logjikë problemi zgjidhet deri diku. Allan A. Pasco në punimin e tij “Literature as historical archive” (“Letërsia si arkiv historik”) mendon se: “Është e jashtëzakonshme sesa normale është bërë në ditët tona për historianët të sjellin romane, poezi, drama si ilustrime apo si burime”. Në fakt, kjo është e vërtetë, por kjo lidhet me përmasat e letërsive të caktuara. Do mjaftonte “Bretkosa” e Mo Yanit që njerëzit të kuptonin shumë jo vetëm për Nobelistin kinez, por edhe historinë kineze dhe mes saj edhe për një nga problemet e saj më të madh historiko-social dhe zgjidhjet e saj. Këtë atribut kuptohet se nuk mund ta bënte dot Letërsia Hispanike me Realizmin Magjik, por deri diku e arriti Letërsia Ballkanike me problemet e mëdha që shtroi.

Përmes Ivo Andriqit, ti njeh mekanizmin e brendshëm të Perandorisë Osmane dhe përfaqësimin e tyre dhe të huajve në Ballkan dhe rezistencën vendase përtej letërsisë. Kurse mëtonjësi i Nobelit, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, do t’i jepte një përmasë tjetër psikikës së Perandorisë me një shtrirje gjeografie të letërsisë së tij nga Mesjeta deri në kohët tona. Kaxanxaqisi dha shpirtin e ballkanasit grek me ndryshimet e kohës dhe mbijetesën përballë kushteve të këqija objektive dhe subjektive, mbushur plot me paradokse, duke mos kursyer negativizmat e shoqërisë dhe kritikën e ashpër ndaj fesë.

Poetët ishin më larg historisë, por ata bënë gjëra më të vështira, pasi përmes figuracioneve përçuan perceptimin metaforik. Tani të besosh se kultura e ka shfrytëzuar letërsinë në këtë mënyrë për të dhënë historinë kjo është pak e vështirë, pasi i ngjan të shikosh historinë përmes një tejqyre letrare…, gjë që teoricienët e artit e shmangin disi.

Shumë nga autorët e brezit të sotëm të dytë i kanë dhënë dimensione interesante letërsisë sonë, por deri ku ata i ka shtyrë memoria e kohës. Arian Leka punon shumë me fabulën e shqiptarit si Ballkanas, ashtu si Luljeta Leshanaku ka kërkuar që përmes metaforës së saj të përfaqësojë një publik më në hije, por gjithmonë me shumë veçanti dhe me kërkesa të larta. Një grup tjetër po prekin me kujdes historinë e Shqipërisë përmes shikimit nga jashtë ose retrospektivës.

Ndërkohë që mungesën më të madhe letërsia shqiptare e ka në vetë-përfshirjen e saj dhe sot ka nevojë për një histori që brenda të ketë një lloj “Vetting”. Së pari, ajo duhet të jetë më dashamire, sa i përket të gjithë autorëve, që kanë jetuar në Shqipëri apo jo. Duhet të jetë më integruese me autorët shqiptarë të Kosovës dhe ata të Maqedonisë. E, ne të gjithë këtë qerthull, ajo patjetër duhet të bashkëpunojë me historinë dhe anasjelltas, për ta bërë të gjithën më të integruar, si edhe për përfshirjen e strukturës së kritikës letrare në të. Por, pa e tepruar. Me pak fjalë, sot letërsia shqiptare vuan nga paragjykimet dhe mbi të gjitha mungesën e një shtrati të përbashkët ku duhet të përfusë të gjithë letërsinë në arealin shqiptar. Për letërsinë tonë ka paragjykime, e jo më kot, pothuaj po i fshihet periudha e Socializmit si edhe shumë aksesorë të tjerë, ndërkohë që sot ka ardhur koha që kjo letërsi të përfshihet në disiplinën krahasuese, e cila krahason pa kufij dhe me modele bashkëkohore.

Në një aktivitet në Prishtinë, studiuesja bullgare Rumiana Stançeva do të theksonte faktin që “specifika e marrëdhënieve letrare në Evropën Juglindore shpjegon sundimin kryesisht të disa tipave studimesh komparative në lidhje me fenomenet letrare ballkanike – receptimi letrar, imagologjia dhe studimi i paralelizmit në gjini dhe tematikë. Komunikimi në Juglindjen tonë nuk presupozon ndjekjen ose aplikimin e një modeli fqinjë. Informacioni këmbehet në atmosferë të qetë, afër indiferencës”.

Ne mund të mësojmë më shumë duke bërë krahasime, por edhe duke parë veçantitë dhe mënyrat sesi bëhen të prekshme fenomenet letrare të Evropës Juglindore me ato të Evropës Perëndimore në histori dhe anasjelltas, apo kohën kur janë bërë të tilla. Shembulli më tipik është qëndrimi ndaj romanit vendas dhe kontributi që po jep në histori ky zhanër sot. “Gurët e vetmisë” së fundmi e Enkel Demit dhe “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” e Thanas Medës janë nga shembujt më të këndshëm sesi letërsia ka zbardhur segmente historikë, ashtu si historia e thatë që hartohet shpesh nga autorët tanë i ka borxh ende letërsisë, ndoshta për shkak edhe të mungesës së duhur të aftësisë së njerëzve të historisë për këtë fakt. /Milosao/