LAJMI I FUNDIT:

Zaev: Marrëveshja me Bullgarinë nuk i sjell asnjë dëm Maqedonisë

Zaev: Marrëveshja me Bullgarinë nuk i sjell asnjë dëm Maqedonisë

Pas thuajse dy dekada, mbahet debat i parë publik në TVM1, ku përballen Kryeministri i vendit dhe lideri i opozitës më të madhe në vend, respektivisht Zoran Zaev përballë Hristijan Mickoski.

Kërkesa për debat erdhi nga Mickoski, por që u pranua pa hezitim nga Kryeministri Zaev.


Ky debat pritet të jetë mjaft i nxehtë, sidomos pas dënimit të sotëm të Gruevskit me dy vite burg, në lëndën “Tanku”.

Telegrafi Maqedoni do të mundohet që t’u sjell pjesë të rëndësishme të debatit.

Çka tha Mickoski, lexoni këtu
Lexo po ashtu Çka tha Mickoski, lexoni këtu

Gjyqësia

Në lidhje dënimin e Gruevskit, Kryeministri Zoran Zaev tha se sot situata është krejtësisht ndryshe në gjyqësi.

Sipas tij, sot kemi gjykata të lira, hetime të pavarura dhe punë më cilësore të gjykatave, krahasuar me periudhën e Gruevskit.

Ai thekson se këtu ka ndikuar shumë procesi reformues që ka ndërmarrë qeverisja që udhëhiqet nga ai vetë, duke shtuar se gjyqësia hapet plotësisht për qytetarët.

Në këtë drejtim, Zaevi përmend edhe gjykimin e tij, duke e konsideruar si transparent dhe të hapur, duke përmbyllur se Ligji duhet të vlej për të gjithë.

Ndryshe nga Zaev, Mickoski thotë se Zaevi është amnistuar tre herë, në tre procese të ndryshme gjyqësore, duke shtuar se nuk ka transparencë, pasi që nuk u lëshuan inçizimet ndaj gjykimit të Zaevit.

Mickoski thotë se pavarësia duhet të jetë reforma kryesore në gjyqësi, kurse tani ndodh e kundërta, nuk ka pavarësi të gjykatave, dhe se Zaevi ndikon në aktgjykimet e gjykatave.

Korrupsioni

Në lidhje me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Zaevi tha se sot në Maqedoni komentohet lirshëm, qytetarët reagojnë, kurse pushteti tërhiqet kur gabon diçka.

Në lidhje me firmat e familjes Zaev, kryeministri thotë se ato ekzisrojnë tash e 30 vite dhe se paguajnë taksa dhe respektojnë ligjet. Zaev thotë se opozita nuk ka ide, e as kreativitet që Qeverisë t’i propozohen dhe të zbatohen.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është agjendë e lartë e kësaj Qeverie, thotë Zaevi, dhe se secili që do gaboj para ligjit, duhet të jep përgjegjësi, e kush është i pastër, duhet që të lirohet.

Nga ana tjetër, lideri i OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski thotë se realiteti është ndryshe, duke përmendur rastin e parcelës në Strumicës, që nga një person tjetër, tashmë ka kaluar në pronësi të vëllait të Zaevit.

Mickoski kërkon që Zaevi të shëtitë nëpër rrugët e vendit ku do të shihet se sa ka krim e korrupsion, duke shtuar se Zaevi nuk ka sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, por qeverisja e Mickoskit do ta bëjë.

Mickoski shtoi që të shkohet te prokurori publik për të vërtetuar gjithçka rreth pagesës së parcelës në Strumicë, dhe si ndodhi që e drejta e ndërtimit të kaloj te kompania e vëllait dhe kusheririt të kryeministrit Zaev.

Për Mickoskin, Maqedonia është kampione evropiane në korrupsion.

Kurse Zaev thotë se lirisht mund të hetohet rasti rreth parcelës në Strumicë.

Në lidhje me 27 prillin e përgjakshëm dhe mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut në rastin e arrestimit dhe paraburgosjes së të akuzuarve, Zaev thotë se shpreson se asnjë politikan në Maqedoni nuk do të ketë shenja në fytyrë nga dhuna e tillë.

Ai shprehet se Mickoski është dashur të distancohet nga dhuna e asaj nate, dhe se nuk ka shkelje të të drejtave të njeriut, pasi që MPB-ja vepron në bazë të ligjeve dhe urdhërave gjyqësor.

Zaev e përmbyll me mendimin se ai që ka gabuar, duhet të jep përgjegjësi.

Kryeministri thotë se Mickoski merr këshilla dhe urdhëra për veprime nga ish-kreu i OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski.

Administrata Publike

Në lidhje me administratën publike, kryeministri Zaev tha se gjithçka shkon sipas ligjit, dhe se tani punësimet bëhen sipas meritës dhe aftësive që i kanë kandidatët.

Sipas tij, procedurat tani janë transparente, kurse deri tani janë bërë tre deri katër mijë punësime, duke shtuar se për familjarizëm nuk ka të drejtë të flet Hristijan Mickoski, pasi që partia e tij ka bërë gjëra të tilla, duke përmendur faktin që ka qenë asistent i babait të tij.

Zaev theksoi se kjo nuk i jep të drejtë që të flet për nepotizëm. Zaev tha se nuk është larguar nga puna askush, por atyre që u janë përfunduar marrëveshjet, ata nuk vazhdojnë më tutje, duke shtuar se me të punësuarit e qeverisjes së mëparshme punon në Qeveri, dhe se nuk e ka larguar askë nga puna, nëse ka patur rezultate të mira.

Ai thotë se 75% e të punësuarve në Kryeministri janë të kohës së OBRM-PDUKM-së, dhe se vazhdon të punojë me ata.

Reforma në Lirinë e Shprehjes dhe Mediat

Në lidhje me aspektin e reformave në media, Zaev tha se janë konsultuar me Shoqatën e gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatën e pavarur, prandaj tani ka propozime më të mirë për sektorin e mediave.

Ai thotë se bashkë me opozitën do të punojnë që të gjejnë profesionistë në serviset publike, por nuk mund që të njejtit njerëz të vazhdojnë kështu, duke shtuar se dëshiron procedurë transparente.

Zaev thërret për pavarësi financiare të RTVM-së, por edhe transparencë dhe mbështetje në votimin e ligjeve për reforma në media.

Për shembull, në Agjencinë për shërbime mediale audio dhe audiovizuele, Zaev thotë se ka persona partiak të OBRM-PDUKM-së.

Zaev thotë se përshëndet kritikat pozitive të opozitës, pasi që paraqesin bashkëpunim pozitë-opozitë, por Zaev thotë se kryesuesi i RTVM-së nuk duhet të vazhdojë më, dhe duhet të zëvendësohet me një profesionist të mirë.

Çështja e emrit

Për çështjen e emrit, Zaev thotë se janë transparent, por nuk dëshirojnë që ta dëmtojnë procesin, me informacione rreth bisedimeve, por që janë të përkushtuar pasi që ka 25 vite që kjo çështje e bllokon vendin.

Sipas tij, e vetmja alternativë e Maqedonisë është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike. Propozimi, Maqedonia Ilindenase, e mbron dhe e përparon identitetin e vendit, popullsisë.

Ai shprehet se kjo çështje nuk është e lehtë, dhe në raste të këtilla duhet ndërtuar qëndrime dhe strategji të përbashkët.

Zaev thotë se qeverisja e mëparshme bisedoi fshehtas për këtë çështje, kurse e tanishmja është e hapur në këtë drejtim. Ai bën thirrje për bashkëpunim me opozitën në këtë drejtim.

Sipas tij, 25 vite Maqedonia u bllokua për këtë çështje, duke shtuar se ky bllokim bëri që rinia të ikë nga vendi, duke shtuar se për emrin, do të ketë referendum të cilit nuk i ikë askush. Ai pyet se çfarë pengon te emri Ilindenase, përse nuk e mbështet Mickoski dhe ndjekësit e tij.

Zaev beson se duhet të tentohet sepse propozimi është i dinjitetshëm, dhe se janë konstruktiv. Sipas tij, zgjidhja e mbron identitetin e vendit, dhe se kjo është një mundësi mjaft e mirë. Nëse humbet rasti, Zaev thotë se 10 vitet tjera do të jenë ende më të vështira për të arritu zgjidhje, duke ofruar përgjegjësi të tij në këtë drejtim.

Ai thotë se Zaev e Tsipras mund të pajtohen, por institucionet janë ato që vendosin, duke përmbyllur se duhet të merr fund kjo gjë, vendi duhet të ketë perspektivë, lidership që do të gjejnë zgjidhje dhe do të punojnë për popullin.

Zaev e përmbylli këtë temë me fjalët se punon me transparencë, dhe se nuk fsheh asgjë që në mënyrë konstruktive të gjendet një zgjidhje që duhet të mbrojnë pritshmëritë e Maqedonisë, dhe se koha është për ta mbyllur këtë çështje.

Marrëveshja Maqedoni-Bullgari për fqinjësi të mirë

Në këtë temë Zaev tha se pas nëntë muajsh të marrëveshjes ka koncerte të përbashkëta të grupeve muzikore maqedonase-bullgare dhe ka bashkëpunime tjera të shumta, pastaj aspekti i roamingut, gasifikimi në rajonin Strumicë-Gjevgjeli.

Sipas tij, po punohet edhe në korridorin 8, është rritur edhe shkëmbimi tregtar Maqedoni-Bullgari, dhe se përfitimet janë për të dy palët.

Ai thotë se kjo marrëveshje nuk i sjell keq Maqedonisë, edhe pse u kritikua shumë nga opozita. Zaev thotë se ndajmë histori të përbashkët me Bullgarinë, dhe se i tërë Ballkani ndanë histori të përbashkët.

Zaev thotë se lidhja me gazsjellësin Tap është arritje nga kjo marrëveshje, duke pranuar se lidhjen e filloi qeverisja e kaluar, por që e vazhdoi qeverisja e tanishme.

Ndaj kundërshtimeve të Mickoskit, Zaev thotë se lideri i opozitës duhet të ketë qëndrime serioze dhe jo vetëm fjalë, duke shtuar se Bullgaria kishte bërë pengesa në proceset integruese, por që tani nuk ka më, duke theksuar se vetë kryetari bullgar përmendi popullin maqedonas, pikërisht në Shkup./Telegrafi/