Juventus po përgatitet të bëjë një lëvizje për mesfushorin e Real Madridit, Dani Ceballos, në afatin kalimtar të janarit, sipas raporteve nga Italia të publikuara nga Tuttomercatoweb

Bardhezinjtë kanë ndjekur nga afër situatën e spanjollit këtë sezon, teksa kërkojnë të përforcojnë repartin e mesfushës në merkaton dimërore. 


29-vjeçari ka pasur shumë pak hapësira nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso, duke grumbulluar vetëm 22 minuta lojë në tri ndeshjet e para të kampionatit, një sinjal i qartë se ai vazhdon të mbetet jashtë planeve kryesore të ekipit. 

Gjatë verës, mesfushori ishte shumë pranë kalimit te Marseille, me raportime që tregonin se palët kishin arritur marrëveshje, bileta e fluturimit ishte prenotuar dhe ishte përgatitur një formulë huazimi me detyrim blerjeje. 

Megjithatë, në fund, Ceballos e refuzoi transferimin dhe vendosi të qëndrojë në Madrid, një vendim që shkaktoi zhgënjim te drejtuesit e klubit. 

Pavarësisht kësaj, Juventus e konsideron cilësinë teknike, vizionin dhe përvojën e tij si elementë të vlefshëm për të shtuar thellësi në skuadër, sidomos duke pasur parasysh objektivat në disa kompeticione. 

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2027, Real Madridi mund të kërkojë një shumë rreth 15 milionë euro, shifër e ngjashme me atë që u përmend edhe gjatë verës, nëse negociatat nisin në janar./Telegrafi/

telegrafi sport app