Juventusi duhet të ketë kujdes për Kolo Muanin - dy klubet angleze pas tij

Kupa e Botës për Klube ka nisur në mënyrën më të mirë për Kolo Muanin, i cili realizoi dy gola në fitoren bindëse 5-0 të Juventusit ndaj Al-Ain. Një sinjal i qartë nga sulmuesi francez, i huazuar nga Paris Saint-Germain për gjithë kohëzgjatjen e këtij turneu. Por çfarë do të ndodhë më pas?
Pas përfundimit të turneut, diskutimet mes Juventusit dhe PSG-së pritet të vazhdojnë. “Zonja e Vjetër” dëshiron ta mbajë sulmuesin edhe për sezonin e ardhshëm. PSG, nga ana tjetër, duket se nuk e ka më në planet afatgjata Kolo Muanin dhe është e hapur për negociata.
Sipas L'Équipe, interesimi për lojtarin ka ardhur edhe nga Liga Premier, konkretisht nga Chelsea dhe Manchester United. Blutë tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë, duke kontaktuar PSG-në për një transferim të mundshëm të përhershëm, ndërsa Djajtë e Kuq mbeten të interesuar, por pa lëvizje konkrete për momentin.
Qëndrimi i Juventusit është i qartë: klubi dëshiron ta mbajë Kolo Muanin për sezonin 2025/26 në formë huazimi, me opsion blerjeje që do të mund të ushtrohej në verën e vitit 2026. Drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Comolli, u shpreh optimist për një marrëveshje:
"Folëm me PSG-në për Kupën e Botës për Klube dhe jemi të hapur për ta vazhduar bashkëpunimin. Klubi francez nuk e ka mbyllur derën dhe as lojtari".
Ndërkohë, vetë lojtari është duke kaluar një formë të mirë në Torino, por ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Juventusi shpreson ta bindë, por gjithçka do të varet nga vendimi i PSG-së dhe lëvizjet eventuale nga Liga Premier.
Nëse vazhdon të shkëlqejë në Kupën e Botës për Klube, verës së vitit 2025 pritet t’i shtohet edhe një tjetër “telenovelë”, me Kolo Muanin si një nga emrat më të nxehtë të tregut. /Telegrafi/





















































