LAJMI I FUNDIT:

Jo kriptomonedhës së Facebook-ut

Jo kriptomonedhës së Facebook-ut

Joseph E. Stiglitz

Facebook dhe disa nga aleatët e saj korporatave, kanë vendosur se ajo që bota ka me të vërtetë nevojë është një kriptomonedhë tjetër, ndaj po prezanton një nga mënyrat më të mira për të keqpërdorur talentet e mëdha në dispozicion të vet. Fakti që Facebook mendon në këtë mënyrë, zbulon shumë mbi atë se çfarë është gabim në kapitalizmin amerikan të shekullit XXI.


Në njëfarë mënyre, kjo është një kohë e çuditshme për të themeluar një monedhë alternative. Në të shkuarën, ankesa kryesore ndaj monedhave tradicionale ishte luhatshmëria e tyre, me inflacion të shpejtë dhe të paparashikueshëm, gjë që i bënte monedhat një magazinë të keqe të vlerës, një mjet të keq për investim. Por, dollari, euro dhe jeni dhe renminbi kanë qenë që të gjitha në mënyrë mbresëlënëse, të qëndrueshme. Mbi të gjitha, shqetësimi sot është deflacioni, jo inflacioni.

Bota ka bërë gjithashtu progres mbi transparencën financiare, duke e bërë më të vështirë për sistemet bankare që të përdoren për pastrim parash dhe aktivitete të tjera kriminale. Dhe, teknologjia na ka mundësuar të realizojmë transaksione në mënyrë efikase, duke lëvizur paratë nga llogaritë e konsumatorëve në ato të tregtarëve në nanosekonda, me mbrojtje veçanërisht të mirë ndaj mashtrimeve. Gjëja e fundit për të cilën kemi nevojë është një mjet që ushqen aktivitete ilegale dhe pastron fitimet e krimit, gjë që një kriptomonedhë tjetër është pothuajse e sigurt se do ta bëjë.

Problemi real i monedhave tona ekzistuese dhe sistemeve financiare që shërbejnë njëkohësisht si mjete pagese dhe magazinuese të vlerave, është mungesa e konkurrencës mes kompanive që kontrollojnë transaksionet, si dhe mungesa e rregullimit të tyre. Për rrjedhojë, konsumatorët – veçanërisht në Shtetet e Bashkuara – paguajnë shumëfish atë që duhet të kushtojnë, duke mbushur xhepat e Visa, Mastercard, American Express, dhe bankave me dhjetëra miliardë dollarë “qira” – fitime të tepërta – çdo vit.

Amendimi Durbin i legjislacionit të reformës financiare të vitit 2010 të njohur si paketa Dodd-Frank ndalon tarifat e tepërta të ngarkuara për kartat e debitit vetëm në një masë tepër të kufizuar dhe nuk bën asgjë mbi shumicën e problemit më të madh të tarifave të tepërta të lidhura me kartat e kreditit.

Vende të tjera, si Australia, kanë bërë punë shumë më të mirë, përfshirë ndalimin e kompanive të kartave të kreditit nga përdorimi i kushteve kontraktuale që pengojnë konkurrencën, ndërsa Gjykata Supreme e SHBA-ve, në një tjetër vendim të saj duket se ka bërë një sy qorr ndaj kushteve të tilla me pasoja anti-konkurrencë. Por, edhe nëse SHBA vendos të ketë një sistem financiar jo-konkurrues të kategorisë së dytë, Evropa dhe pjesa tjetër e botës duhet të thonë jo: nuk është anti-amerikane të jesh pro konkurrencës, siç duket se sugjeroi së fundmi Trump në kritikat e tij ndaj komisioneres evropiane të Konkurrencës, Margrethe Vestager.

Dikush mundet me të vërtetë të pyesë: cili është modeli i biznesit të Facebook-ut dhe pse kaq shumë njerëz duken të interesuar në këtë sipërmarrje të saj të re?

Mund të jetë që ata duan një pjesë të qirasë që do të grumbullohet në platformën përmes të cilës transaksionet do të procesohen. Fakti që ata besojnë se më shumë konkurrencë nuk i ul fitimet pranë zeros vërteton se sektori financiar ka besim në aftësinë e vet për të mposhtur forcat e tregut – dhe se pushteti i saj politik siguron që qeveria nuk do të ndërhyjë për të penguar këto fitime të ekzagjeruara.

Ndërsa Gjykata Supreme e SHBA-ve është riangazhuar edhe një herë për të minuar demokracinë amerikane, Facebook dhe miqtë e saj mund të mendojnë se nuk kanë pse të kenë frikë. Por rregulluesit, të besuar jo vetëm me ruajtjen e stabilitetit, por edhe me sigurimin e konkurrencës në sektorin financiar, duhet të ndërhyjnë. Dhe gjithkund tjetër në botë, ka më pak entuziazëm për dominimin teknologjik të Amerikës përmes praktikave të saj antikonkurruese.

Supozohet se vlera e monedhës së re Libra do të lidhet me një shportë monedhash botërore dhe do të mbulohet në masën 100 për qind – prezumohet me një përzierje titujsh borxhesh qeveritare, kështu që ka një burim tjetër të mundshëm të ardhurash: të mos paguarit të interesit mbi “depozitat” (monedhat tradicionale të shkëmbyera për Libra), Facebook mund të tërheqë një fitim arbitrimi nga interesi që ajo merr nga këto “depozita.”

Pse ndokush duhet t’i japë Facebook-it një depozitë me interes zero, kur ata mund ta vendosin paranë e tyre në një bono thesari edhe më të sigurt të SHBA-ve, ose në një fond në tregun e parasë? (Regjistrimi i fitimeve apo humbjeve kapitale sa herë që ndodh një trasanksion, kur Libra konvertohet sërish në monedhë vendëse, dhe taksat që rrjedhin si detyrim i këtij fitimi kapital duket se janë një pengesë e rëndësishme për këtë monedhë, përveçse nëse Facebook beson se ajo mund ta shmangë sistemin amerikan të taksave, njësoj siç vepron në lidhje me shqetësimet tona për privatësinë apo konkurrencën)

Ka dy përgjigje të dukshme për pyetjen e këtij modeli biznesi: një është që njerëzit që ndërveprojnë në aktivitete kriminale (ndoshta përfshirë edhe presidentin aktual të SHBA-ve), janë të gatshëm të paguajnë një pjesë të mirë për t’i pasur aktivitetet e tyre të paligjshme – korrupsion, shmangie fiskale, trafik droge apo terrorizëm – të kalojnë pa u vënë re. Por, pasi kemi bërë kaq shumë progres në pengimin e përdorimit të sistemit financiar për të lehtësuar krimin, pse duhet që ndokush – e aq më pak qeveria apo rregullatorët financiarë – të mos ndërhyjnë vetëm për shkak se kjo mbart logon “teknologji”?

Nëse ky është modeli i biznesit të Libras, qeveritë duhet ta mbyllin atë menjëherë. Së paku, Libra duhet t’i nënshtrohet të njëjtave rregulla për transparencë që janë të vlefshme për pjesën tjetër të sektorit financiar. Por nëse ndodh kjo, ajo nuk do të jetë më një kriptomonedhë.

Altervativa është që të dhënat e trasanksioneve të kryera me Libra mundet që të gërmohen si të gjitha të dhënat e tjera që kalojnë në posedimin e Facebook – duke riforcuar fuqinë e saj tregtare dhe fitimet, dhe duke minuar më tutje sigurinë dhe privatësinë tonë. Facebook (se Libra) mund të premtojnë se nuk do ta bëjnë këtë, por kush i beson?

Pastaj ka një pyetje më të gjerë për besimin. Çdo monedhë mbështetet në besimin që dollarët e fituar me djersë të “depozituara: në të do të ripaguhen sipas kërkesës. Sektori financiar privat ka treguar prej kohësh se nuk është i besueshëm në këtë kuptim, dhe kjo është arsyeja se pse janë kërkuar ndërhyrjet e shumta rregullatore.

Por, vetëm brenda pak vitesh, Facebook ka fituar një nivel mosbesimi që është arritur nga sektori bankar për një periudhë shumë më të gjatë. Sërish dhe sërish, udhëheqësit e Facebook-ut, të përballur me një zgjedhje mes parave dhe respektimit të premtimeve, kanë zgjedhur paratë. Dhe asgjë nuk mund të jetë më shumë për paranë se sa krijimi i një monedhe të re. Vetëm një budalla mund t’i besojë Facebook-ut mirëqenien e tij financiare. Por, ndoshta ky është argumenti: me kaq shumë të dhëna personale të mbi 2.4 miliardë përdoruesve aktivë, kush e di më mirë se sa Facebook-u sesa budallenj lindin çdo minutë? /Project Syndicate/BIRN/