Një ditë më parë në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca gjyqësore në rastin e padisë së qytetarit me nevoja të veçanta, Faruk Kukaj ndaj komunës së Prishtinës për diskriminim në qasje, lëvizje të lirë.

Reklama

Kukaj deklaratën e tij e nisi me njoftimin për sëmundjen që ka, e jeta e të cilit nuk ka qenë aspak e lehtë, ku përveç paragjykimeve, bullizmit e ngacmimeve si fëmijë shkaku i gjendjes së tij, është përballur me vështirësi të shumta në dimensione të ndryshme.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë deklaratën e Kukajt të postuar nga HANDIKOS:

Deklarata e dhënë sot nga Faruk Kukaj në Gjykatën Themelore në Prishtinë lidhur me padinë për diskriminim në qasje, lëvizje të lirë:

Reklama

I nderuari gjykatës, unë kësaj radhe do të jem më i gjatë në fjalimin tim, për çka kërkoj mirëkuptimin dhe hapësirën tuaj.

Reklama

Unë jam Faruk Kukaj, i rritur në Prishtinë. I diagnostifikuar me paralizë cerebrale – tetraparezë dhe i varur në lëvizje nga karroca që nga fëmijëria ime e hershme.

I nderuar gjykatës, jeta ime në vendin tim nuk ka qenë aspak e lehtë. Përpos  paragjykimeve, bullizmit e ngacmimeve si fëmijë shkaku i gjendjes time, unë jam përballur me vështirësi të shumta në dimensione të ndryshme. Si qytetar i Prishtinës, më është mohuar qasja e barabartë infrastrukturore, më është mohuar shkollimi i barabartë me bashkëmoshatarët e mi, kam hasur në pengesa në marrjen e shërbimeve esenciale shëndetësore, më vonë kam qenë i papranueshëm për punësim, ndërsa paragjykimi më ka ndjekur çdo ditë të jetës sime, deri sot kur po flasim, e kushedi ndoshta deri kur.

Reklama
Reklama

Në vend që të isha në bankat shkollore, mësuesit detyroheshin të ma ofronin edukimin fillor në shtëpinë time, sepse vetëm aty kisha qasje. Si pasojë e kushteve të përgjithshme, mua  m’u pamundësua vazhdimi i shkollimit tutje. Pra nuk arrita ta kryej as shkollën e mesme. Ishte e dhimbshme, por e tejkalova, sikurse shumë sfida të tjera në jetën time. Tërë këto që i përmenda, më kishin ndodhur në fazat e para të jetës sime si njeri. Pak më ndryshe se të tjerët në pamje e lëvizje, por me ëndrra, dëshira, vullnet e ambicie sikurse çdo qenie tjetër, shumicën prej të cilave nuk pata mundësi t’i realizoja kurrë, sepse nuk pata mbështetjen institucionale. Për fat timin të mirë, kisha një familje shumë përkrahëse prandaj edhe jam këtu ku jam, me gjithë kapërcimet e sfidave.

Reklama
Reklama

I nderuari gjykatës, tek kur u rrita pak dhe nisa të kuptoja më shumë, të thyeja barrierat psikologjike e paragjykimet, të dilja përtej katër mureve të shtëpisë, kuptova se unë qenkam person i diskriminuar në qytetin e shtetin të cilit i përkas. Dhe jo vetëm. Kuptova po ashtu se qenkam edhe person i vuajtur shpirtërisht, sepse po përballesha me vështirësi në qasje, nuk mund të bëhesha pjesë e shoqërisë sime, apo edhe të shkoja tek familjarët në vizitë, të bëhesha pjesë e aktiviteteve kulturore, aq më pak e atyre sportive. Familja ma kishte siguruar një karrocë elektrike, por prapë me pengesa të theksuara në lëvizje të lirë.

Reklama

Unë Faruku, u përballa me trajtim jo të duhur në vendin kryesor ku kërkohet mjekim. Kisha rast kur në QKUK, dermatologu më zhveshi në rrugë për kontroll, sepse ishte e pamundur të hyja brenda shkaku i mungesës së qasjes. E kuptoni dot zotëri gjykatës dhe ju të tjerët çfarë ndjenje është kjo?

Reklama

Para pesë viteve, teksa lëvizja me karrocë te ‘Tre Sheshirat’, për pak sa nuk përfundova shumë keq nga goditja e veturës. Më përplasi teksa lëvizja në pjesën e vetme të rrugës ku mund të lëvizja pak më lirshëm.  Për fat, pa ndonjë lëndim serioz, por e pashë vdekjen me sy. M’u dëmtua karroca dhe mora disa lëndime. Por aq shumë isha i tronditur nga ngjarja, saqë nuk arrita të thërrisja as policinë në ato momente. Si rezultat, personi me veturë u largua dhe as njerëzit përreth nuk e kontaktuan policinë.

Reklama

Traumat e mia nuk përfundojnë me kaq. Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, diku në vitin 2005 unë shkova aty në një takim që kishte të bënte për personat me aftësi të kufizuara. Mirëpo u përgjaka në hollin e Kuvendit të Kosovës. Si mungesë e qasjes dhe dyshemesë së rrafshët, karroca ime u rrotullua dhe pësova lëndime të mëdha. Dëshmitar ishte zv. kryeministri i atëhershëm Lutfi Haziri si dhe dy mjekë që ma dhanë ndihmën e parë. Nexhat Shatri, që nuk është më një jetë, por edhe Izet Sadiku që tash mban postin e drejtorit për Shëndetësi në Komunën e Prishtinës. Dhe, ai objekt i Kuvendit vazhdon të jetë edhe sot i pa qasshëm.

Reklama
Reklama

I nderuari gjykatës. Përditshmëria ime vijon me frikën se këtu apo aty do rrëzohem, apo do goditem sërish nga ndonjë veturë. Sepse nuk kemi ende nivelizim të trotuarve, nuk kemi ende rrugë krejt të rrafshëta, nuk kemi ende pjerrina të mjaftueshme dhe sipas standardeve, personat me aftësi të kufizuara hasin edhe në mungesë të parkingjeve apo uzurpim të tyre në kryeqytet. Nëse dua të dal të vetëm të pi ndonjë kafe me miqë, unë s’mund të futem brenda një lokali sepse s’ka qasje. Madje edhe nëse arrij disi të hy, më duhet të mendohem gjatë a të porosis diçka a jo, sepse çka nëse më lind nevojë për tualet dhe të mos kem ku të ta kryej atë nevojë. Është e turpshme ndoshta, por si mungesë e tualeteve të qasshme, unë jam urinuar në raste të caktuara në pantallonat e mi.

Reklama
Reklama

Kudo që shkoj, hasi në barriera. Ne po flasim për qasjen në përgjithësi në komunën e Prishtinës, por është ironike të theksohet që as objektet e komunës së Prishtinës nuk plotësojnë standardet e qasjes infrastrukturore për personat me aftësi të kufizuara, dhe jo vetëm. Unë tash e një kohë jam i angazhuar në HANDIKOS. ÇDO ditë punoj e loboj për të drejtat e mia dhe të komunitetit tim. Çdo ditë hulumtoj, bëhem pjesë e raporteve e shfletoj të drejtat e mia. Unë njoh mjaft mirë Udhëzimin Administrativ për qasje që në Kosovë që ekziston që nga viti 2007, i cili ndonëse obligon komunat, thuaja fare nuk zbatohet në praktikë.

Reklama

Njoh pra ligje, njoh të drejtat e mia, por ato nuk po më plotësohen. I nderuar gjykatës, ju nuk mund ta imagjinoni se si ndihem kur frekuentoj për çështje pune objektin e Bashkimit Evropian në Prishtinë i cili është Komplet i qasshëm, aty ndihem tamam i barabartë.

Reklama

Të nderuar të pranishëm në këtë sallë, deri tash fola për vuajtjet dhe diskriminimin që e kam ndjerë nën lëkurën time. Por zëri im është edhe i dhjetra e mijëra Farukave të tjerë në Kosovë.

Me këto sfida e këto pengesa përballen gjithë PAK’ët. E nëse hyjmë më thellë, ka plot e plot që vuajnë ende paragjykimet e stereotipet dhe nuk shohin fare dritën e diellit, sepse nuk kanë ku të shkojnë.

Për fund, unë po mbes me shpresën se ky rast i imi, i iniciuar që 5 vjet në organet e drejtësisë të triumfojë dhe të bëhet storie suksesi për të gjitha palët.

Në fund të fundit, s’po kërkoj asgjë tjetër, përpos plotësim të një të drejte qenësore dhe barazi. /Telegrafi/

Reklama