LAJMI I FUNDIT:

Jep dorëheqje zëvendësministrja e MASHTI-t

Jep dorëheqje zëvendësministrja e MASHTI-t

Zëvendësministrja për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Inovacion, Edona Maloku-Bërdyna, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Përmes një postimi të bërë në Facebook të martën, ajo ka njoftuar se dorëheqjen ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, ndërsa ka thënë se për shkaqe subjektive e ka të pamundur të vazhdojë më tej angazhimin në këtë detyrë.


“Takimin përshëndetës me Kryeministrin e zhvilluam në frymë shumë pozitive siç ka qenë edhe bashkëpunimi me të dhe gjithë kolegët e qeverisë gjatë kësaj detyre. Kryeministrin Kurti e falënderoj përzemërsisht për besimin e dhënë, mbështetjen dhe afërsinë e treguar në këto dy vite shërbim”, ka shkruar Maloku-Bërdyna.

Tutje, ajo ka thënë se në Qeverinë e Kosovës ka punuar me përkushtimin maksimal personal e profesional.

“Jam krenare sidomos për kontributin e dhënë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, rritjen e përfshirjes së vajzave/grave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë e matematikës (STEM), avancimin e gjithë përfshirjes në arsim, zhvillimin e shkencës e inovacionit dhe urëzimin e bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare”.

“U jam thellësisht mirënjohëse kolegëve me të cilët kam ndarë sukseset e sfidat në këtë rrugëtim të përbashkët. Për mua, ka qenë nder i jashtëzakonshëm dhe privilegj jetësor t’i shërbej vendit tim. Tani po i kthehem punës sime akademike, për të vazhduar aty kontributin tim në arsim e në shkencë”, ka përfunduar Maloku-Bërdyna. /Telegrafi/