LAJMI I FUNDIT:

Jep dorëheqje të papritur Kjell Gruner, drejtori ekzekutiv i Porsche në Amerikën e Veriut

Jep dorëheqje të papritur Kjell Gruner, drejtori ekzekutiv i Porsche në Amerikën e Veriut

Presidenti i bordit dhe drejtori ekzekutiv i Porsche Cars North America, Dr. Kjell Gruner do të largohet nga kompania, lajmëroi gjatë javës prodhuesi i veturave. Dorëheqja është efektive nga 6 korriku, por Porsche nuk ka zgjedhur akoma pasardhësin e tij, teksa ata kanë bërë të ditur se do të dalin me një njoftim së shpejti.

Ndërkohë, zyrtari i lartë operativ i Porsche Cars North America, Joe Lawrence, dhe zyrtari i lartë financiar, Thierry Kartochian, do të udhëheqin biznesin. Të dy janë nënkryetarë të bordit. Porsche nuk ka dhënë akoma ndonjë arsye për largimin e Gruner.


Detlev von Platen, një anëtar i bordit të Porsche AG për shitje dhe marketing, falënderoi Gruner “për punën e tij të shkëlqyer” te prodhuesi gjerman i veturave dhe i uroi atij më të mirën “si personalisht ashtu edhe profesionalisht”, shkruan Motor 1, përcjell Telegrafi.

Përpara se të udhëhiqte Porsche Cars North America, Gruner shërbeu si zëvendës president i marketingut të Porsche AG nga viti 2010, deri në momentin kur ai u emërua si drejtor ekzekutiv i Porsche Cars North America. Mandati i tij bëri që Porsche të zgjerojë rrjetin e saj të shitjes me pakicë në SHBA në gati 200 vende.

Ai iu bashkua Porsche-s në vitin 1999, duke punuar në disa departamente të ndryshme përpara se t’i bashkohej Daimler-it në vitin 2004. Ai kishte punuar edhe tek Mercedes-Benz Cars përpara se të ribashkohej përsëri tek Porsche në vitin 2010 si shef i marketingut.

Largimi i Gruner është vetëm ndryshimi i fundit ekzekutiv brenda Volkswagen Group. Në fund të muajit të kaluar, Audi njoftoi se do të zëvendësonte drejtorin e saj ekzekutiv, duke promovuar Gernot Döllner në pozicionin e mbajtur nga Markus Duesmann që nga prilli 2020. /Telegrafi/