LAJMI I FUNDIT:

A janë siguruar votat në Këshillin e Evropës, analistët: Vonesat në procesin e anëtarësimit nuk janë lajm i mirë për Kosovën

A janë siguruar votat në Këshillin e Evropës, analistët: Vonesat në procesin e anëtarësimit nuk janë lajm i mirë për Kosovën

Janë bërë tetë muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim Këshillin e Evropës dhe nga Ministria e Punëve të Jashtme ditë më parë kanë thënë se procesi ende është në fazën e parë. 

Derisa MPJ ka mohuar se ka dështuar procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, njohësit e fushës theksojnë se vonesat në këtë nuk janë lajme të mira për vendin.


Analisti Artan Muhaxhiri në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se situata aktuale e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është simbolikë dëshmuese e keqkuptimeve fundamentale diplomatike nga ana e lidershipit kosovar.

Artan Muhaxhiri, njohës i fushës politike

“Mospranimi naiv nga Qeveria Kurti mënyrave të etabluara të marrëdhënieve ndërkombëtare ka bërë që të rrezikohet dhe degradohet rasti më ideal për t’u anëtarësuar në këtë institucion të rëndësishëm”, tha ai.

Ministria e Punëve të Jashtme: Nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës
Lexo po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme: Nuk ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës

Sipas tij, pas largimit të Rusisë në shkurt-mars të vitit të kaluar, forcat antikosovare janë zvogëluar maksimalisht. “Mirëpo, as kjo gjendje jashtëzakonisht e volitshme nuk u ka mjaftuar vendimmarrësve tanë që, me veprime të bashkërenduara, ta shtrojnë udhën e pranimit”, tha analisti Muhaxhiri.

Ai tha më tej se cenimi i aleancave jetike, çakordimet e veprimeve diplomatike, kokëfortësia për të mos bërë kompromise edhe kur shndërrohen në domosdoshmëri për progres, si dhe synimi për t’i përfituar të gjitha pa dhënë asgjë – të gjitha bashkë e kanë ndihmuar këtë kontekst negativ dëshpërues.

Edhe njohësi tjetër i proceseve politike, Emir Abrashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në Këshillin e Evropës nuk është shqyrtuar ende çështja e aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Ai tha se aplikimi ndodhet në Këshillin e Ministrave, dhe siç tha ai ky është një lajm i keq për Kosovën.

Abrashi theksoi se edhe kësaj radhe Kosova nuk do të futet në agjendën e Këshillit të Evropës për anëtarësim.

Anëtarja e Kryesisë së LDK-së thotë se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE ka dështuar
Lexo po ashtu Anëtarja e Kryesisë së LDK-së thotë se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE ka dështuar

“Në Këshillin e Evropës nga informacionet të cilat i kam nuk është shqyrtuar akoma çështja e aplikimit të Kosovës. Ajo ndodhet akoma në Këshillin e Ministrave dhe rrjedhimisht nuk ka as vendim pozitiv, as negativ. Kjo në vetvete është lajm i keq për Kosovën, për shkak se duket se edhe kësaj radhe do të ketë vonesa dhe edhe kësaj radhe Kosova nuk do të futet në agjendën e Këshillit të Evropës për anëtarësim”, ka thënë ai.

Emir Abrashi, njohës i çështjeve politike

Sipas tij, aplikimi i saj nuk do të shqyrtohet pasi ende nuk janë siguruar votat për anëtarësim.

“Kjo bie ndesh edhe me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilët deri më tani kanë deklaruar se i kanë siguruar votat, dhe se kanë siguruar mbështetjen e nevojshme për anëtarësim në KE, por që nuk po rezulton të jetë e tillë”, theksoi ai.

Abrashi potencoi se edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë ka deklaruar se nuk do të votojnë pro Kosovës për anëtarësim.

“Në anën tjetër kemi një deklaratë shqetësuese nga Ministria e Punëve të Jashtme e Hungarisë e cila ka thënë se nuk do të votojë pro Kosovës në asnjë anëtarësim…Prandaj, mendoj që Qeveria e Kosovës, konkretisht MPJ-ja duhet të punoj aktivisht me të gjithë aleatët tanë, përfshirë këtu Hungarinë, e cila deri më tani ka qenë një shtet jashtëzakonisht mbështetës për Kosovën dhe të sigurojmë mbështetjen e nevojshme përpara se të dorëzohen aplikimet. E jo të aplikohet dhe t’i vendosim aleatët para aktit të kryer siç ka ndodhur në rastin e aplikimit për Këshillin e Evropës dhe në fund të ditës të mos mund të futemi as në agjendë. Kjo e nxjerr edhe Kosovën keq, edhe aleatët të cilët e mbështesin Kosovën”, u shpreh Abrashi.

Njohësi i çështjeve politike thotë se pret nga diplomacia e Kosovës që të jetë më e kujdesshme në këtë aspekt.

“Pres nga diplomacia e Kosovës që të jetë më e kujdesshme, më serioze në këtë aspekt dhe normalisht kjo bëhet duke bërë një lobim të fuqishëm. Por, ky lobim nuk bëhet duke i pasur ambasadat me mungesë të stafit. Pasi i kemi ambasadat tona dhe konsullatat tona kudo nëpër Evropë duke funksionuar me nga një person dhe në këtë formë nuk arrihet që Kosova t’i shtyjë agjendat e saj”, tha ndër të tjera Abrashi për Telegrafin.

Ndryshe, deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, ditë më parë ka bërë të ditur se i ka shkruar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për të pyetur se ku ndodhet procesi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE.

Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham

Ai në letrën dërguar Komitetit të Ministrave bën të ditur disa raste kur është vepruar shumë shpejt pas aplikimit të atyre shteteve për anëtarësim në KiE.

“Tetë muaj më parë Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës. Që nga ajo periudhë nuk ndodhi asgjë. Pyeta Komitetin e Ministrave kur ata përfundimisht planifikojnë ta referojnë kërkesën e Kosovës për opinion në Asamblenë Parlamentare?!”, shkruan Abraham.

Tashmë janë bërë tetë muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe ende nuk ka ndodhur asgjë. Zyrtarë nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, ditë më parë kishin thënë se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka dështuar.

“Kosova paguan çmimin e moskoordinimit. Dështimi i shqyrtimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dëshmon se sa e çorientuar është diplomacia e Kosovës aktualisht. Katër shtete njohëse e aleate të Kosovës: Italia, Franca, Gjermania dhe Britania kanë votuar kundër”.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të cilët thanë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk ka dështuar, pasi as që ka hyrë në votim.

Në reagimin e MPJ-së thuhej se është e rëndësishme të sqarohet se janë tre faza të votimit për anëtarësim të një vendi në Këshillin e Evropës. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave fillon procedurën e anëtarësimit. Në fazën e dytë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës vendos standarde relevante dhe jep rekomandimin për anëtarësim. Në fazën e tretë, Komiteti i Ministrave vendos pas opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. /Telegrafi/ 

Në trend Lajme

Më shumë
Kadri Veseli flet në Hagë: Gjykimi të bëhet në kohë të arsyeshme, të mos cenohet besimi i popullit të Kosovës

Kadri Veseli flet në Hagë: Gjykimi të bëhet në kohë të arsyeshme, të mos cenohet besimi i popullit të Kosovës

Drejtësi
Qeveria e re e Maqedonisë drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

Qeveria e re e Maqedonisë drejt formimit, kryetari i Kuvendit pritet të jetë shqiptar

Lajme
Rezulton i zhdukur tash e disa ditë, policia thotë se rasti i Gëzim Trakaniqit ka kaluar tek krimet serioze rajonale

Rezulton i zhdukur tash e disa ditë, policia thotë se rasti i Gëzim Trakaniqit ka kaluar tek krimet serioze rajonale

Lajme
Kosovës iu avancua statusi, por cili është roli dhe funksioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s?

Kosovës iu avancua statusi, por cili është roli dhe funksioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s?

Lajme
LVV thotë se pishina e Gërmisë po u jepet

LVV thotë se pishina e Gërmisë po u jepet "dostave", Komuna e Prishtinës mohon akuzat

Lajme
Fillon implementimi i Kodit të ri Doganor dhe Akcizave

Fillon implementimi i Kodit të ri Doganor dhe Akcizave

Lajme
Kalo në kategori