Prej 158 personave nga Kosova, sa kanë qenë të dënuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm, nga viti 2013 e këndej, aktualisht duke vuajtur dënimin në institucionet e Shërbimit Korrektues të Kosovës janë nëntë syresh.

Shumica e të dënuarve kanë qenë pjesëmarrës në luftërat civile të Sirisë dhe Irakut.

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me njërin që ka kryer dënimin prej tre vjetësh e gjysmë burgim, por ai nuk ka dhënë detaje se çfarë bën tani.

“Ka përfunduar ajo epokë. Burgun e kam kryer, tash jam duke punuar”, ka thënë ai dhe ka kërkuar që të mos identifikohet.

REL-i ka tentuar të flasë edhe me disa ish-të burgosur të tjerë, për të mësuar se çfarë kanë bërë pas vuajtjes së dënimit për terrorizëm, por ata kanë refuzuar të përgjigjen.

Reklama
Reklama

Kosova, në vitin 2015, ka hartuar ligjin, në bazë të të cilit çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja, mund të dënohet nga 5 deri në 15 vjet burgim.

Nga viti 2011, për katër-pesë vjet me radhë, më shumë se 350 kosovarë kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut. Shumë prej tyre është thënë se janë rreshtuar përkrah luftës së grupit militant Shteti Islamik.

Deri më tani, nga vatrat e luftës llogaritet se janë kthyer më shumë se 250 kosovarë – përfshirë edhe familjarë të luftëtarëve. Disa kanë vdekur në fushëbeteja e për të tjerë nuk është e qartë vendndodhja.

Reklama

Për trajtimin e personave të kthyer nga Siria dhe Iraku, Kosova që nga viti 2019, ka vepruar në bazë të Programit për Rehabilitim dhe Riintegrim të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Reklama

Grante për ish-të burgosurit për terrorizëm

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), nuk kanë shpjeguar nëse këta persona, të cilët tashmë janë liruar, janë deradikalizuar, por kanë thënë se të njëjtit kanë përfituar grante.

“Të gjithë personat e liruar nga burgu dhe që kanë përfituar grante, kanë filluar të merren më shumë me veten dhe familjet e tyre dhe, po ashtu, çdo herë kemi konsultime rreth nevojave shtesë nga familja”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Reklama

“Për kategorinë e të liruarve nga burgu dhe familjet e tyre, deri më sot 58 persona kanë përfituar grante sipas kërkesës së tyre, 22 persona kanë ndjekur kurse të ndryshme, si dhe 39 persona kanë qenë pjesë e trajnimeve të ndryshme, ndërsa edhe 21 personave u janë aprovuar grante dhe pritet që deri në fillim të muajit prill të bëhen dorëzimet e tyre”, thuhet në përgjigje.

Reklama

Grantet që këta persona dhe familjet e tyre kanë fituar kanë të bëjnë kryesisht me sektorin e bujqësisë.

Megjithatë, sipas një raporti të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, organizatë e cila ka marrë pjesë në zbatimin e programeve për rehabilitimin dhe riintegrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e luftës, nuk ka pasur ndonjë plan të qëndrueshëm nga ana e institucioneve se si të trajtohen të kthyerit në Kosovë, e as për rolin e Shërbimit Sprovues të Kosovës (SHSK) në këtë drejtim.

Reklama

Stafi i këtij mekanizmi të Ministrisë së Drejtësisë – që merret me riintegrimin shqëror të personave të dënuar (punët sprovuese) – sipas QKSS-së, kishte mungesë të njohurive bazë dhe nuk ishin të përgatitur që t’i trajtonin këta persona.

Reklama

“Prej vitit 2014, institucionet e vendit kanë zbatuar programe R&R për individët e dënuar për vepra që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin. Këto projekte kanë qenë ad-hoc, jo të planifikuara mirë, afatshkurtra dhe në to nuk janë përfshirë institucionet relevante si SHSK-ja”, thuhet në raport të publikuar në dhjetor të vitit 2021.

Po ashtu, në raport thuhet se nuk ka pasur buxhet të veçantë për rehabilitim dhe riintegrim.

Reklama

Nga QKSS-ja thanë edhe se, për shkak të dënimeve të ulëta dhe hezitimit të disa të dënuarve për t’u bërë pjesë e programeve riintegruese – që kanë qenë pjesë e strategjisë kundër ekstremizmit – është bërë pothuajse i pamundshëm zbatimi i programeve të rehabilitimit dhe riintegrimit.

“Ajo që është shumë e rëndësishme e që nuk e kemi parë që është bërë deri tash, duhet të bëhet një vlerësim i rrezikut së pari për këta individë dhe është e rëndësishme që të përmirësohet koordinimi ndërinstitucional. Ne kemi vërejtur që nuk ka koordinim ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror”, tha Shpat Balaj nga QKSS-ja.

Reklama
Reklama

Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të themelojnë programe dhe mekanizma të qëndrueshëm dhe afatgjatë që do të trajtonin probleme të ngjashme edhe në të ardhmen.

Për rehabilitimin dhe riintegrimin e personave të dënuar për terrorizëm, në vitin 2018, Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK).

Marrëveshja njëvjeçare ka paraparë që imamë të caktuar nga BIK-u, të mbajnë ligjërata për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese të Kosovës, me qëllim të ofrimit të njohurive fetare.

Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës thonë se janë duke bërë përpjekje për ta ripërtërirë marrëveshjen me BIK-un.

Reklama

Në vitin 2018, BIK-u kishte përzgjedhur 20 imamë caktuan për të ligjëruar në burgjet e Kosovës me qëllim të deradikalizimit të të burgosurve.

Reklama

Por, profesor Ismajl Hasani, sociolog i religjionit, thotë se në institucionet korrektuese duhet ndryshuar qasja dhe trajtimi ndaj personave që vuajnë dënimin për vepra penale të ndërlidhura me terrorizmin. Ai thotë se plani për trajtimin e këtyre personave është dashur dhe duhet të ndryshojë.

“Në të ashtuquajturin riintegrim të këtyre personave janë përfshirë vetëm hoxhallarët, kur dihet se kjo pjesë ka një shkallë të lartë të indoktrinimit, është dashur që patjetër memorandumi të përfshijë edhe njerëz të fushave të ndryshme të përafërta, sidomos psikologë klinikë, sociologë e njerëz që njohin problemet fetare”, thotë Hasani.

Reklama

Lidhja me luftën e huaj

Që nga koha e shpërthimit të konfliktit të armatosur në vitin 2011, më shumë se 350 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut. Në grupin e kosovarëve që udhëtuan drejt Sirisë, përveç burrave kishte gra dhe fëmijë.

Reklama

Deri më tani nga Siria në Kosovë janë kthyer më shumë se 250 kosovarë. Kosova u bë një ndër vendet e para në botë që riatdhesoi në mënyrë të organizuar qytetarë të saj nga kampet e Sirisë.

Në muajin prill të vitit 2019 në një operacion të fshehtë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u riatdhesuan 110 kosovarë, në mesin e tyre katër luftëtarë të IS-it, 32 gra dhe 74 fëmijë, si dhe më 17 korrik 2021, institucionet e Kosovës riatdhesuan 11 shtetas nga zonat e konfliktit në Siri.

Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës, më shumë se 80 kosovarë u vranë në zonat e luftimeve.

Personat që arritën të kthehen në Kosovë u përballën me procese gjyqësore, pasi sipas ligjit të miratuar më 2015, pjesëmarrja në luftëra të huaja është vepër e dënueshme me nga 5 deri në 15 vjet burgim. Edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor sanksionojnë pjesëmarrjen në konflikte apo luftëra të huaja. /rel/

Reklama