LAJMI I FUNDIT:

BE-ja kërkon përjashtim nga tarifat e SHBA-ve që aplikohen nga 1 maji

BE-ja kërkon përjashtim nga tarifat e SHBA-ve që aplikohen nga 1 maji

Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, tha se Bashkimi Europian nuk duhet të goditet nga lufta tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, duke kërkuar një përjashtim të plotë të Europës nga tarifat e Donald Trump, që hyjnë në fuqi nga 1 maj.

Gjatë Marsit, SHBA vendosën tarifa për importet e çelikut dhe aluminit, duke marrë kundërpërgjigje nga Kina dhe shkaktuar shqetësime në Europë. Megjithatë, zyrtarët europianë kanë bërë thirrje për një përjashtim nga këto tarifa.


Sipas tyre, 28 vendet anëtare të BE nuk janë shkaku i mbikapacitetit në industrinë e metalit. Europa ka arritur të përfitojë një përjashtim të përkohshëm, që skadon më 1 maj, megjithatë SHBA kanë bërë të ditur se mund ta zgjerojë atë limit.

“Europa nuk duhet të pësojë goditje nga tarifat tregtare. Ne nuk jemi përgjegjës për mbikapacitetin në tregun e çelikut dhe aluminit”, tha Bruno Le Maire.

Vendimi për të caktuar tarifa të importit prej 25 për qind mbi çelikun dhe 10 për qind për aluminin, pritet të dëmtojë jo vetëm këto industri, por edhe prodhuesit e makinave dhe firmat e ndërtimit në Europë, që i përdorin si lëndë të para. /Telegrafi/