Izraeli hakmerret pas vrasjes së ushtarit nga Hezbollahu, bombardon Libanin - raportohen tetë të vrarë

Pas vrasjes së një ushtari izraelit nga Hezbollahu, Izraeli ka nisur një fushatë hakmarrëse në shtetin libanez.
Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se sulmet izraelite në qytetet Jibchit dhe Toul, të vendosura në distriktin Nabatieh në jug të Libanit, kanë vrarë të paktën tetë persona.
Sulmi në Jibchit vrau katër persona dhe plagosi nëntë të tjerë, bëri të ditur ministria, raporton cnn.
Në një deklaratë, Ministria e Shëndetësisë tha se mes të vrarëve ishin dy fëmijë dhe një grua. Mes të plagosurve kishte tre fëmijë dhe katër gra.
Në një sulm të veçantë, katër persona u vranë në Toul, përfshirë tre gra, ndërsa 13 të tjerë u plagosën, njoftoi ministria. Ministria tha se mes të plagosurve kishte pesë fëmijë dhe katër gra.
Sulmet erdhën pasi zëdhënësi në gjuhën arabe i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Avichay Adraee, publikoi një “alarm urgjent” në platformën X për banorët e disa qyteteve, përfshirë Jibchit dhe Toul.
“Për sigurinë tuaj, duhet të evakuoni menjëherë shtëpitë tuaja dhe të qëndroni larg fshatrave të paktën 1000 metra, në zona të hapura. Kushdo që ndodhet pranë elementeve, objekteve dhe mjeteve luftarake të Hezbollahut po e vë jetën e tij në rrezik”, thuhej në postim.
Ndryshe, Izraeli ka krijuar një zonë të sigurisë brenda territorit të Libanit. /Telegrafi/




















































