LAJMI I FUNDIT:

ITSHKSH: Maqedonia me thirrje fashiste do të ketë pasoja serioze në të ardhmen

ITSHKSH: Maqedonia me thirrje fashiste do të ketë pasoja serioze në të ardhmen

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup me një reagim të drejtuar Telegrafit në Maqedoni ka kritikuar gjestet e kryetarit të Kongresit Botëror Maqedonas Todor Petrov duke paralajmëruar pasoja serioze për Maqedoninë.

“Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve ngre zërin e arsyes dhe e dënon këtë gjuhë antisemite dhe këtë qëndrim fashist të atyre qarqeve, që – për fat të keq – shpesh gjejnë mbështetje edhe nga organizata politike. Ta ofendosh tjetrin mbi baza etnike, siç veprohet shpesh ndaj shqiptarëve në Maqedoni, si dhe ta mohosh holokaustin e të promovosh simbole fashiste, këto janë shenja se Maqedonia le që nuk po ecën në drejtim të vlerave perëndimore dhe integrimit në botën e qytetëruar, porse po shënon regres që mund të rezultojë me pasoja serioze jo vetëm për të ardhmen e Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj.” thuhet në reagimin e ITSHKSH.


Ky institucion u bën thirrje të gjitha institucioneve relevante në vend që ta gjykojnë këtë veprim dhe të distancohen prej tij, që kështu këto veprime të dekurajohen dhe të mos zënë vend në ambientin tonë.

“Përveç kësaj, kërkojmë nga Prokuroria Publike që ta marrë në konsideratë këtë rast dhe të ngrejë padi penale kundër atyre që bëjnë thirrje fashiste dhe anisemite.” thuhet më tej në reagimin e ITSHKSH.

Me këtë rast ITSHKSH-ja rithekson se – ashtu siç ndihmuan shqiptarët në shpëtimin e hebrenjve në Luftën e Dytë Botërore – edhe hebrenjtë e Maqedonisë sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve mund të llogarisin në një institucion mik, që kujdeset njësoj si për kulturën dhe trashëgiminë e shqiptarëve dhe që këtë e ka dëshmuar disa herë edhe përmes formave të bashkëpunimit konkret.

Në si ITSHKSH në këtë drejtim para do kohe organizuam ekspozitën “Guximi qytetar në kohë të vështira” bashkë me Institutin e Historisë Nacionale, Qendrën e Holokaustit të Hebrenjve në Maqedoni dhe Bashkësinë Hebraike në vend.

“Të mësuar me traditën e lashtë shpirtërore të këtyre hapësirave, ne mendojmë se duhet të jemi maksimalisht syhapur dhe të kujdesshëm, sepse një pakujdesi e vogël, si ajo para Luftës së Dytë Botërore, mund të sjellë pasoja fatale, që mund t’i qajmë dhe vuajmë edhe në shumë gjenerata.” shkruhet në kumtesën e ITSHKSH./Telegrafi/

Gjithashtu lexo: Petrov provokon shqiptarët me shenja naciste në megafonin e tij (Foto/Video)