LAJMI I FUNDIT:

Istrefi: Largohen 120 mijë klientë nga mungesa e sistemit të mirëmbajtjes në Telekom

Istrefi: Largohen 120 mijë klientë nga mungesa e sistemit të mirëmbajtjes në Telekom

Ka kohë që nuk kemi sistem të mirëmbajtjes dhe si pasojë e kësaj 120 mijë klientë janë larguar nga rrjetet tona, kështu është shprehur kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, sot para Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në këtë ndërmarrje.

Istrefi para komisionit tha se janë duke kërkuar mundësi për t’i përdorur mekanizmat institucional që të krijohet stabilitet në Telekom.


“Ka një muaj e gjysmë qe e kam marrë këtë pozitë por jam përmbi 10 vite brenda Telekomit dhe kam qenë i njohur për sfidat aty. Gjendja momentale nuk është që nuk ka mundësi të krijohet një stabilitet. Në momentin që kam marrë pozitën e kam thirr menaxhmentin për të krijuar mundësi për të sjellë një stabilizim aty. Ka kohë që nuk kemi sistem të mirëmbajtjes dhe si pasojë e kësaj 120 mijë klientë janë largu nga rrjetet tona. Sot ne po kërkojmë mundësi t’i përdorim mekanizmat e shtetit që ato para që i kanë përgjegjësi ndaj Telekomit”, tha Istrefi.

Ai ka shtuar se kjo ndërmarrje i ka njoftuar institucionet e vendit, ku nëse nuk arrihet kontrata për sistemin e mirëmbajtjes atëherë do ketë rrezik të bien të gjitha shërbimet.

“Duke e parë gjendjen e vështirë që është momentalisht ne i kemi alarmuar institucionet tona që ka mundësi që të bien të gjitha shërbimet si pasojë e mos pasjes së kontratës të sistemit të mirëmbajtjes cila kushton 6.5 milionë euro”, shtoi ai.

Para Komisionit Hetimor Parlamentar ka raportuar edhe kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha, ku tha se kjo ndërmarrje ka nevojë për financim dhe se kjo ndërmarrje ëshët në rënie.

“Telekomi është në rënie, investime nuk ka. Probleme kyçe janë edhe mbyllja e borxhit me Z-Mobile, kalimi në kodin +383, mbyllja e borxheve të tjera, e kështu me radhë”, tha Shatri-Berisha.

Ajo tha se kontratat e Telekomit me operatorët e jashtëm, menaxhmenti dhe bordi aktual nuk ka mundësi të i shkëpusë pasi qe janë në pamundësi të shkëputjes.

“Telekomi ka kontratë me operatorë të jashtëm por ato kontrata nuk i kemi bërë ne por i kemi gjet aty dhe kanë qenë në pamundësi të shkëputjes. Unë nuk jap mendim për kontratën me Z-Mobile”, tha ajo.

Viteve të fundit kjo ndërmarrje është akuzuar se po plaçkitet nga bordi dhe menaxhmenti si dhe është akuzuar për punësimet e jashtëligjshme. /Telegrafi/